OEK kundër ndryshimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare

Kundër këtij ndryshimi ishte edhe Oda e Afarizmit të Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar në lidhje me ndryshimet e Ligjit për Shoqëri Tregtare sipas së cilës në bordet e Kompanive femrat duhet të përfaqësohen me 40 përqind.

Sipas Odës këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën dhe parimet themelore të ekonomisë së lirë të tregut.

“Në kohën kur komuniteti i biznesit është në angazhim të vazhdueshëm, që përmes dialogut privat të avancojë agjendën e reformave ekonomike, në Parlamentin e Republikës të Kosovës, pa ndonjë argument të fuqishëm dhe pa asnjë konsultë me përfaqësuesit legjitim të komunitetit të biznesit, përkatësisht Odën Ekonomike të Kosovës, miratohen ndryshime në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare, ndryshime të cilat bien ndesh me Nenin 10 të Kushtetutës së Republikës të Kosovës. Ky nen përcakton qartë që ekonomia e tregut me konkurrencën e lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në reagim.

Përpjekjet që me ligje dhe rregullore të imponohen format dhe modelet e menaxhimit të kompanive të sektorit privat, sipas OEK janë ndërhyrje arbitrare në treg, në konkurrencën e lirë dhe në të drejtën e kompanive për të zgjedhur resurset me të cilat konkurrojnë në treg.

Gjithashtu Oda Ekonomike e Kosovës, beson fuqishëm që edhe në sektorin privat, prezenca më e lartë e femrave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse do të ndikojë në rritjen e aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve (kjo bazohet edhe në shumë punime shkencore që e kanë trajtuar këtë aspekt), por kjo duhet të arrihet nën presionin konkurrues, që i shtynë kompanitë për ndryshim të modelit udhëheqës, e jo përmes rregullave të imponuara, të cilat tradicionalisht kanë dëshmuar që krijojnë kundër efekt.

“Sot dhe dje kemi pranuar një numër të madh të ankesave nga bizneset anëtare, për mënyrën dhe përmbajtjen e ndryshimeve në Ligjin për Shoqëritë Tregtare, prandaj brenda afatit, së bashku me ekspertë të ndryshëm do të analizojmë mundësinë që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Republikës të Kosovës, për shqyrtim të kushtetueshmërisë së këtij ligji, në mënyrë që të mbrojmë të drejtat themelore të sektorit privat dhe të ruhen parimet themelore të ekonomisë së lirë të tregut”, bëhet e ditur në reagimin e Odës.

Ndaj këtij ndryshimi dje ka reaguar edhe Oda e Afarizmit të Kosovës që ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi mos ta nënshkruajë Ligjin për Shoqëritë Tregtare.

Back to top button