Rukiqi e konsideron shqetësuese

Rukiqi e konsideron shqetësuese

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi sot ka mbajtur konferencën e radhës për media, ku ndër tjerash ka folur edhe për Ligjin për Pagat, buxhetin dhe taksën.

Rukiqi ka thënë se është shqetësuese se si është arritur të alokohen 1.4 miliardë euro për paga dhe skema sociale.

“Një shpenzim i tillë nuk është fuqizues i rritjes ekonomike dhe krijon një dallim të madh mes sektorit publik dhe privat.”, ka shtuar ai, bëhet e ditur në komunikatën e OEK-ut.

Gjithashtu, Rukiqi ka folur edhe për ndikimin e taksës 100%, teksa ka prezantuar edhe rezultatet e analizës që është bërë me 194 biznese, ku është treguar ndikimi i taksës në rritjen e prodhimit dhe të shitjes.

“Rreth 55% e kompanive janë ndikuar direkt nga kjo masë. Ndikimin më të madh e ka ndjerë sektori i tregtisë dhe ai i prodhimit në vend. Si efekt dukshëm pozitiv dhe premtues paraqitet rritja e shitjeve për rreth 49% të kompanive të anketuara.”, ka thënë Rukiqi dhe ka shtuar se gjatë kësaj periudhe është vërejtur gatishmëria e prodhuesve për të investuar.

Në fund, kryetari i OEK-ut ka ftuar bizneset që të shfrytëzojnë mekanizmin për mbrojtjen e interesave të bizneseve në raport me politikat përmes zyrës së komunitetit të biznesit./21Media