OEK shpërblen tatimpaguesit më të mirë të vitit

Gërxhaliu i quajti tatimpaguesit heronjë të shtetit

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në 55 vjetorin e themelimit të saj, i ka shpërblyer 15 tatimpaguesve më të mirë për vitin 2017, si dhe 20 eksportuesit më të mirë vendor.

Përveç bizneseve të ftuar në këtë ceremoni, ishin edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri dhe Bahri Berisha, drejtori i Doganës së Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se duhet të punohet që të kemi më shumë prodhim dhe rritje të eksporteve.

“Me siguri iu habit fakti që në këtë festë madhështore nuk ka përfaqësues të politikës të nivelit të lartë. Jemi dëshmitarë të asaj në çfarë situate gjendet Kosova në përgjithësi dhe besoj që nuk e kemi komunitetin dhe atë kënaqësinë për galla mbrëmje dhe për galla evente por e ndajmë këtë ditë dhe këtë moment me ata që e meritojnë dhe janë shtylla, boshti kryesor i proceseve ekonomike të Kosovës….Gjithë ju që kontribuoni për shtet jeni heronjë”, tha Gërxhaliu.

Kurse, ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se njerëzit që punësojnë dhe që e mbushin arkën e shtetit duhet të vlerësohen.

“Të tre ne sot ndihemi të relaksuar jo pa obligimit, jo pa përgjegjësi po kur i shohim shifrat zhvillimit del që plani i të hyrave për buxhetin e Kosovës u përmbush. U përmbush falë punës, angazhimit të juaja, disiplinës dhe korrektësisë suaj për çka jam mirënjohës dhe iu falënderoj”, tha Hamza.

Ndërsa, drejtori i ATK-së, Sakip Ymeri deklaroi se ky institucion ka detyrë në administrimin e tatimeve. Edhe drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha premtoi se do të ketë lehtësia doganore.

Pas fjalimeve, u shpërblyen tatimpaguesit më të mirë për këtë vit.

Back to top button