Hoxha në këtë akademi do të jetë i angazhuar për dy vjet

Hoxha në këtë akademi do të jetë i angazhuar për dy vjet

Në bazë të marrëveshjes mes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Forca e Sigurisë e Kosovës do të dërgojë oficerin, kapiten Ismail Hoxha, si instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”, bëhet e ditur në një komunikate për media.

Me këtë rast, komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant, Rrahman Rama sot ka pritur në takim kapitenin, Ismail Hoxha, të cilit i ka uruar suksese dhe përkrahje të vazhdueshme gjatë angazhimit të tij në këtë akademi, e cila cilësohet si njëra ndër akademitë ushtarake më prestigjioze në botë.

“Kam nderin që t’ia dorëzoj flamurin e Kosovës kapitenit Ismail Hoxha, i cili me angazhimin e tij si instruktor do ta përfaqësojë në mënyrë të denjë vendit tonë në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”, ka thënë Rama.

Kapiten Ismail Hoxha në këtë akademi do të jetë i angazhuar për dy vjet rresht për të vazhduar  më pas kontributin e tij në ngritjen e kapaciteteve trajnuese në FSK sipas mandatit  të ri.

Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar që nga vitit 2009 është i pazëvendësueshëm për zhvillimin dhe edukimin profesional të oficerëve të FSK-së. /21Media