Më 9 dhjetor në Teatrin e Qytetit “Adriana” në Ferizaj, vjen premiera e shfaqjes “Oh, oh, Xhulia"

Më 9 dhjetor në Teatrin e Qytetit “Adriana” në Ferizaj, vjen premiera e shfaqjes “Oh, oh, Xhulia”

Kjo shfaqje me tekst të Ephraim Kishon në skenën e teatrit ‘Adriana’ do të jetësohet nën regjinë e regjisorit Besim Ugzmajli.

Regjisori Besim Ugzmajli  tha se kjo shfaqje është komedi -parodi si version alternativ i ‘Romeo dhe Zhulieta’ të William Shakespeare. Por sipas tij  në versionin e Ephraim Kishon, Romeo dhe Zhulieta i kanë shpëtuar vdekjes.

“Ephraim Kishon është një autor që jo vetëm që ka shkruar shumë skenarë dhe drama, por është i njohur edhe si regjisor i cili ishte nominuar për Oscar” ka thënë Ugzmajli për portalin RTV 21.

Ai po ashtu theksoi se vazhdojnë të përballen me probleme si: moszbatimi në kohë i kontratës mes Ministrisë së Kulturës dhe Teatrit “Adriana” dhe me mospagesën e ekipës.

Ndërsa Ugzmajli tha se provat për këtë shfaqje kanë filluar nga shtatori por që ka pasur ndërprerje.

Në rolet kryesore  luajnë aktorët: Shpëtim Selmani, Vjosa Tasholli, Sherif Bega, Edona Berisha, Mevlan Saraçi dhe Milot Salihu.

Ndërsa premiera vjen më 9 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit “Adriana” në Ferizaj./21Media