Operacion kundër mafisë kalabreze

Mbi  1000 karabinierë morën pjesë në një operacion të gjerë kundër Ndranghetas

Më shumë se 1000 karabinierë morën pjesë në një operacion të gjerë kundër Ndranghetas, mafia më e fuqishme kalabreze, duke arrestuar 116 anëtarë, mes të cilëve krerë të rëndësishëm të organizatës, njoftuan sot autoritetet.

Karabinierët u mbështetën nga helikopterët, njësitë policore dhe specialistët në kërkimin e bunkerëve, që mendohet se shërbejnë për fshehjen e krerëve të mafisë, raporton AFP.

Akuzat kryesore që rëndojnë ndaj tyre janë konspiracione kriminale të tipit mafioz, grabitje, mashtrime dhe armëmbajtje pa leje.

Rreth 24 familje mafioze të Kalabrisë, në jug të Italisë, ishin objektiv i këtij operacioni që mundësoi gjetjen e strukturave të tjera të Ndranghetas, si disa lloj “gjykatash” të supozuara për zgjidhjen e konflikteve të brendshme mes klaneve të ndryshme.

“Ne kemi goditur krerët e familjeve më të rëndësishme, të gjithë drejtuesit”, deklaroi për shtypin, Federico Cafiero de Raho, prokuror i Reggio de Calabre, kryeqyteti i rajonit.

“Ne kemi goditur zemrën e Ndranghetas në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo zemër e Ndraghetas drejton një kompani të vërtetë”, theksoi gjenerali i karabinierëve, Giuseppe Governale.

Back to top button