Mickoski, Kasami dhe Sela: Fajtor është kryeministri Zaev

Mickoski, Kasami dhe Sela: Fajtor është kryeministri Zaev

VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e Qeverisë në krye me kryeministrin Zoran Zaev. Mosmarrja e datës është lajm i keq dhe i padëshiruar. Vendimi i këtillë është dështim, jo për popullin dhe qytetarët, por për politikat e Zoran Zaevit dhe pushtetin e tij, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ai bëri thirrje për takim të krerëve shtetërorë, në të cilin do të debatohet për gjendjen aktuale, por i pyetur nëse të dielën do të shkojë te Presidenti Stevo Pendarovski, i cili i ftoi liderët e partive në takim të përbashkët, u përgjigj se do të marrë pjesë vetëm nëse merr ftesë zyrtare.

Duke kërkuar dorëheqjen e Zaevit, tha se ky takim duhet të prodhojë plan të qartë, pa kalkulime dhe politikë. Mickoski mes tjerash tha se VMRO-DPMNE-ja nuk do të ndërmarrë masa radikale.

Dorëheqjen e Zaevit e kërkuan edhe partitë opozitare shqiptare, të cilat njëkohësisht konfirmuan se do të marrin pjesë në takimin që e organizon shefi i shtetit. Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, shprehu zhgënjim të thellë dhe tha se kryeministri dhe Qeveria duhet të marrin përgjegjësi për dështimin, sa i takon mosmarrjes së datës për negociata.

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, theksoi se Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i startuar negociatat, duke shtuar se në takimin e së dielës do të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

Përmes Tuiterit u prononcuan edhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Dimitrovi e pyeti Bashkimin Evropian – nëse më nuk ka konsensus për ardhmërinë evropiane të Ballkanit Perëndimor? Nëse më nuk ka konsensus, nëse nuk vlen premtimi nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, atëherë qytetarët meritojnë ta dinë këtë, shkroi Dimitrovi. Edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani doli me porosi për BE-në – Unë nuk kam dilema që kredibiliteti evropian jo vetëm në vend, por në tërë rajonin është i dëmtuar. Por, kjo nuk duhet të na largojë nga vlerat evropiane. Ne jemi pjesë e Evropës dhe padrejtësia e sotme nuk guxon të na largojë nga përpjekjet tona për të vazhduar me implementimin e reformave, porositi Osmani./21Media