Zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësoj askënd dhe as Serbinë

Zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësoj askënd dhe as Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa pas aksionit të sotëm të policisë në Kosovë ka thënë se zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësoj askënd dhe as Serbinë, nëse ata nuk janë të involvuar në këto veprime kriminale.

Duhet të përshëndetet çdo aksion dhe veprim ligjor e legjitim i organeve të drejtësisë së Kosovës në tërë territorin e Republikës. Krimi i organizuar nuk njeh etni, ashtu sië nuk duhet të njoh as ligji. Të gjithë ata, shqiptarë, serbë, boshnjakë etj, zyrtarë e jo zyrtarë duhet të paergjigjen në mënyrë të barabartë para ligjit për veprimet e dëmshme që po ia shkaktojnë vendit. Drejtësia nuk guxon të jetë selektive si në rastin e fajdeve. Zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësoj askënd dhe as Serbinë, nëse ata nuk janë të involvuar në këto veprime kriminale.”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social, Facebook.

Derisa edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Dardan Sejdiu ka thënë se ky aksion jo që është i duhur, por është i vonuar.

Çdo aksion kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës sikurse ky i Policisë së Kosovës në komunat veriore të Kosovës, jo që është i duhur, por është i vonuar. Ka 20 vite që në këtë pjesë të vendit krimi e kontrabanda zhvillohen lirshëm, e madje duke qenë të përfshirë në të edhe zyrtarë policorë e doganierë. Prandaj, e konsideroj këtë ndërhyrje të organeve të shtetit si hap të qëlluar.”, ka thënë ai.

Sejdiu gjithashtu ka thënë se veprimet e tilla meritojnë mbështetje përtej dallimeve politike e ideologjike.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se operacioni policor, i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.

Katër policë kanë mbetur të plagosur në aksionin e sotëm të policisë në veri dhe jug të Mitrovicës. Siç mëson RTV21, tre nga ta janë duke u trajtuar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, ndërsa një nga ta në repartin e kirurgjisë.

Ndërsa, institucionet relevante të sigurisë iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme, pasi ky operacion policor ka për qëllim luftën kundër krimit dhe është në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit./21Media