LSDM me rezerva për nismën e BDI-së?

LSDM me rezerva për nismën e BDI-së?

Nismën e BDI-së për veting të zyrtarëve shtetërorë në Maqedoni, partneri i koalicionit LSDM tani për tani nuk e mbështet me plot gojë. I pyetur për propozim-ligjin, deputeti dhe zëdhënësi socialdemokrat Kostadin Kostadinov tha se nuk e ka lexuar, ndërsa rikujtoi se ekziston Komisioni Antikorrupsion në rast se ka dyshime për zyrtarët.

“Ekziston Komisionit shtetëror Antikorrupsion që i ka mekanizmat që në përputhje me denoncimet dhe informacionet të hapë procedurë dhe vërtetojë nëse ka indicie për ndonjë zyrtar, për të cilin nëse ka dyshime se ka shkelur ligjin, të njëjtat dyshime mund të kthehen në procedurë gjyqësore, kështu që konsideroj se Antikorrupsioni është filtër i mirë për këtë gjë, megjithatë ky është qëndrimi im personal, mbetet që grupi parlamentar në Kuvend, deputetët, ta rishikojmë propozimligjin, dhe në përputhje me ingerencat tona si deputetë t’i harmonizojmë qëndrimet rreth kësaj”, deklaroi Kostadinov.

Propozim ligjin e dorëzuar dje, nuk e ka parë as deputetja e grupit të pavarur të VMRO-DPMNE-së, Emilija Aleksandrova, e megjithatë në parim mbështesin vetingun ndaj zyrtarëve publikë.

“Kontroll patjetër të ketë, sidomos për zyrtarët publikë, për mënyrën se si ata e arrijnë pronën andaj ne do ta rishikojmë, do të dorëzojmë amendamente dhe unë personalisht mendoj se një zgjidhje e këtillë ligjore, sa më rigoroze të jetë aq më mirë për shtetin tonë”, theksoi Aleksandrova.

Opozitarët e VMRO-DPMNE-së me qëndrim do të dalin kur ta kenë rishikuar tekstin. Zëdhënësi Naum Stoillkovski thotë pastrimi duhet të nisë nga Qeveria.

Në lidhje me vetingun, absolutisht mendoj se patjetër qeveria duhet pastruar nga parregullsitë që janë brenda”, Stoilkovski.

Edhe opozita shqiptare me kritika. Deputeti i Aleancës për Shqiptarët Surja Rashidi i tha TV21 se do ta shqyrtojnë propozim ligjin për të parë, siç tha, se cila është esenca dhe loja e BDI-së me këtë projektligj, të cilën njëkohësisht e akuzon se deri më tani në forma të ndryshme ka penguar kontrollin e zyrtarëve.

Deputeti i “Besës” Fadil Zendeli, konsideron se përmes këtij vetingu BDI ka qëllim të lajë të palarat e veta nga e kaluara. Ai është pesimist se qeveria aktuale mund ta çojë përpara këtë proces. Edhe me ligjin në fuqi mund të pastrohen prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, por sipas Zendelit, LSDM dhe BDI s’kanë vullnet ta bëjnë këtë sepse i kanë nën shërbimin e tyre.

Përmes ligjit për veting të propozuar nga BDI parashihet formimi i një Agjencie që do të kontrollojë kredibilitetin dhe punën e të gjithë zyrtarëve në legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe nëpër komuna.