Ora e parë e mësimit i kushtohet raporteve Kosovë-SHBA

Vendimi i ministrit Bytyqi për të nderuar figurën e Bushit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim që në shenjë respekti, mirënjohje dhe vlerësimi për veprimtarinë politike të ish presidentit amerikan, George H.W Bush, në të gjitha shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit do t’iu kushtohet raporteve Kosovë-SHBA.

 

“Të dashur qytetarë, nxënës e mësimdhënës, Në shenjë respekti, mirënjohje dhe vlerësimi për veprimtarinë politike të ish presidentit amerikan , z. George H.W Bush, në funksion të fuqizimit të raporteve mes shtetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përkushtimit të tij për faktorizimin e çështjes së Kosovës në momente të rëndësishme historike, kam marrë vendim që të mërkurën, më 5 dhjetor 2018, të gjitha institucionet e arsimit para universitar, orën e parë të mësimit t’ia kushtojnë raporteve të mira historike në mes Kosovës dhe SHBA-ve, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që i është dhënë vendit tonë gjatë procesit të çlirimit, pavarësimit dhe shtet ndërtimit”, shkruhet në vendimin e ministrit.

Dita e mërkurë është shpallur ditë zie kombëtare edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. George H. W.  Bush ka vdekur të premten në moshën 94 vjeçare. Ai konsiderohet si mik i Kosovës, në vitin 1992 kishte qenë një ndër të parët, i cili kishte paralajmëruar Millosheviqin se nëse fillon konflikt të amratosur në Kosovë, Stetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura ta përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe Serbi. Ai kishte qenë presidenti i 41-të i Amerikës, ndërmjet viteve 1989-1993, pasi kishte shërbyer dy mandate si zëvendës president i Ronald Regan. Në muajin prill ai ishte pranuar në spital për kujdes intensiv për shkak të një infeksioni të gjakut, vetëm një javë pas vdekjes së gruas së tij, Barbara Bush, 73 vjeçare.

Back to top button