Poezi nga shkrimtari Aleksandër Stavre Drenova - Asdreni

Poezi nga shkrimtari Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni

Shkrihen ujrat nër liqene,
Qielli fletët nis e hap
Mbyllur zemra rri si qene
S’do të çohet jashtë një çap

Strehëvet treten dhe kongjijtë,
Shterrin lotët gjith pikë pikë
Zemra hesht e mbledh pëqinjtë
Me një sy më sheh të lik.

Majë biskut zogu tundet,
Rreze vere gjith po pret,
Gjumit zemra s’do të shkundet,
As një ndjenjë asaj s’i flet.

Kryet kaçja qet si trime
Qilim’n e bardhë flaku tej,
Tuf e barit dje si qime,
Sot çel bishtrat musi hej.

Dhe gjinkalla mer kitarën
Një arratisës vjershëtor
Rri mpreh zërin mi të parën
Fije barit prandveror.

Hapu zemër, vjen pranvera
Rreze shkasin në çdo skaj
Merr lahutën dil tek dera,
Nisia këngës e mos qaj!

Thuria këngës dhempshurije
Çele zemrën magjiplote,
Ligjëratën dashurije
Që dha qielli dorëplotë.

Çohu zemër, shteri lotët,
Bjeri tingullit ledhatar
Se gjësendi s’vlejnë motet
Sa vlen çasti magjistar..