Kjo ekspozitë synon luftimin e stigmës dhe paragjykimeve shoqërore

Kjo ekspozitë synon luftimin e stigmës dhe paragjykimeve shoqërore

Në shënimin e 19 Qershorit – Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte – Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Eliza Hoxhën organizojnë në Muzeun e Kosovës ekspozitën ‘Bëhu fytyra ime’.

Ekspozita do të paraqes korniza të zbrazëta xhami me rrëfime / kuotime të të mbijetuarve të dhunës seksuale, ku vizitorët ftohen për t’i përfytyruar këto tregime sikur e njëjta gjë të ndodhte me ta.

‘Bëhu fytyra ime’, ka për qëllim që përmes ndërgjegjësimit të shoqërisë mbi pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të promovojë qasjen gjithëpërfshirëse dhe trajtimin e dinjitetshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Kjo ekspozitë synon luftimin e stigmës dhe paragjykimeve shoqërore karshi viktimave – të mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.

Gjithashtu, ‘Bëhu fytyra im’ bën thirrje për mbështetje më të fuqishme, brenda familjes, komunitetit dhe shoqërisë në anancimin dhe realizimin e të drejtave për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Për gati dy dekada, të mbijetuarit e dhunës seksuale qëndruan të heshtura, të nëpërkëmbura dhe të margjinalizuara. Një pjesë e mirë e fajit dhe përgjegjësisë për këtë stigmatizim dhe harresë, vjen nga heshtja kolektive shoqërore që mbretëron qysh nga përfundimi i luftës. Padyshim, që kjo situatë në të cilën ndodhen ato, është e papranueshme për një shoqëri të lirë dhe demokratike. Një kohë të gjatë, ato mbetën pa mbështetje, të braktisura dhe të përbuzura. Kështu që, përveçse viktima të krimit e të dhunimit, ne lejuam që ato të shndërroheshin edhe në viktima të përjashtimit, padrejtësisë dhe braktisjes shoqërore. Prandaj, sot është koha që ne të bëhemi zëri i tyre!”, thuhet në komunikatë.