U bë përurimi i ambulancave të reja specialistike

U bë përurimi i ambulancave të reja specialistike

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar sot objektin e rinovuar të Ambulancave Specialistike të klinikës së ORL-së (Otorinolaringologjisë-klinika për sëmundje të veshit, hundës e fytit) dhe Oftamologjisë (Klinikës së syve).

Gjatë përurimit, ministri Ismaili ka thënë se ky objekt është i pajisur me aparaturë moderne për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta shëndetësore. Ai ka theksuar se në objektin e ri do të bëhet e mundur shtimi i numrit të pacientëve që kërkojnë shërbim, duke ruajtur kështu shëndetin dhe xhepin e tyre. “Në këtë objekt të ri do të hiqen pabarazitë, shtohet numri i shërbimeve dhe do të zvogëlohen shpenzimet financiare të qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë diku tjetër deri më sot”, ka deklaruar Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se në objektin e rinovuar, pacientët dhe profesionistët shëndetësorë kanë kushte shumë më të mira për ofrimin dhe marrjen e shërbimeve shëndetësore. “Tani në një ambient të transformuar është një kënaqësi e veçantë pasi pacientët kanë ku të vijnë, duke respektuar radhën dhe duke pasur qasje në ambiente komode me pajisje moderne”, ka deklaruar drejtori Sejdiu.

Drejtori i ORL-së, Hajdin Thaçi, ka potencuar se përmes këtij investimi do të zvogëlohen edhe pakënaqësitë e pacientëve. “Pas 30 vjetësh këto hapësira janë shndërruar në hapësira moderne të pajisura me gjithë infrastrukturën përcjellëse për shërbime dinjitoze për pacientët”, ka thënë ai.

Shërbimet ambulantore specialistike oftamologjike deri më sot janë ofruar në katin përdhes të kësaj klinike, në kushte jo adekuate për shërbime shëndetësore.