Dokumentari paraqet raste individuale

Dokumentari paraqet raste individuale

Misioni i OSBE-së në Kosovë lansoi sot raportin me titull “Vlerësim i kthimit vullnetar në Kosovë” i cili paraqet situatën e përgjithshme të të kthyerve në Kosovë, si dhe filmin dokumentar me titull “Të jesh në vendin tënd”.

Raporti ofron një pasqyrë të kornizës ligjore që aplikohet në procesin e kthimit dhe zbatimit të tij në Kosovë, duke përfshirë, informata mbi të drejtat pronësore për personat e zhvendosur dhe të kthyerit, një vlerësim të situatës së sigurisë për të kthyerit, si dhe një pasqyrë të procesit të gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova.

Qëllimi i këtij raporti është të ngrisë vetëdijen mbi ndërlikimet me të cilat përballen të kthyerit dhe sfidat me të cilat përballen institucionet ndërsa përpiqen ta adresojnë këtë çështje. Raporti përfshin një sërë rekomandimesh për ministritë e përfshira në procesin e kthimit, si forcimi i bashkëpunimit institucional dhe opsionet për ndarje të parcelave tokësore në projektet që kanë të bëjnë me kthimet.

Filmi dokumentar paraqet raste individuale të personave të zhvendosur dhe vështirësitë me të cilat përballen ata pas kthimit në Kosovë. Filmi ofron një këndvështrim tjetër nga raporti, me tregime personale dhe njerëzore që nxjerrin në pah realitetet e përjetuara nga disa të kthyer.

Gjatë lansimit, Jan Braathu, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, përshkroi rëndësinë e zbatimit të plotë të kornizës së re dhe respektimit të të drejtave të të kthyerve.

“Personat e zhvendosur duhet të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm; të mund t’i shijojnë në mënyrë paqësore pronat e tyre, të kenë respekt për jetën e tyre familjare dhe private, si dhe të mos diskriminohen. E drejta për t’u kthyer është e mishëruar në të drejtën ndërkombëtare dhe garantohet me kushtetutë dhe legjislacion të Kosovës,” tha Braathu. /21Media