Osmani pohoi se do të shtojnë kapacitetet parashkollore për 10 herë

Osmani pohoi se do të shtojnë kapacitetet parashkollore për 10 herë

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, në prezantimin e Programit të saj në fushën e arsimit, tha të dielën se arsimi do të jetë prioritet i lartë, reformimi i të cilit do të arrihet nëpërmes ndryshimit të mentalitetit qeverisës.

“Programi ynë i jep prioritet të lartë arsimit. Një ndërrim total të mentalitetit qeverisës që e kemi parë nga qeveria e fundit. Do të kemi shumëfish më shumë investime sesa që kemi pasur deri më tash, duke e konsideruar arsimin si një nga shtyllat, nëpërmes të cilave ndërtojmë potencialin më të rëndësishëm, edhe social edhe ekonomik për vendin”, tha Osmani.

Ajo pohoi se do të shtojnë kapacitetet parashkollore për 10 herë, sepse sipas saj ndryshimet në arsim duhet të fillojnë nga poshtë-lartë, dhe duke i dhënë rëndësinë që meriton arsimit parashkollor.

“Duke investuar në arsimin parashkollor ne ju mundësojmë nënave që të punojnë dhe të kontribuojnë për mirëqenien e familjeve të tyre, duke rritur përqindjen e punësimit të tyre. Shkolla do të shndërrohet në mekanizëm transformues për fëmijët dhe të rinjtë tanë. Shkolla do të jetë aleati i familjeve tona kundër krimit kibernetik dhe abuzimit të fëmijëve nga platformat online. Arsimi do të shndërrohet në shtyllë të zhvillimit dhe punësimit”, tha Osmani.

Sipas saj, arsimi i lartë do të ndërlidhet me tregun e punës.

“Emëruesi i përbashkët i këtyre veprimeve do të jetë depolitizimi i arsimit, rritja e dukshme e investimeve në arsim dhe angazhimi i të gjithë ekspertëve arsimor në Kosovë, pa dallim përkatësie politike”, shtoi Osmani.

Ajo pohoi se milionat dhe ekspertët nuk mund të bëjnë asgjë pa ndryshimin e të gjithë neve. “Ju ftoj për mobilizim sikur në vitet e 90-ta, në mbrojtje dhe zhvillim të sistemit arsimor dhe shndërrimin e tij në pjesë zhvillimit të shtetit”, tha Osmani.

Nënkryetarja e LDK-së, tha se kjo parti ka lindur nga njerëzit e dijes, të cilët së bashku me mësimdhënësit, nxënësit dhe me prindërit kosovarë, gjatë kohë të vështira të viteve të 90-ta e mbajtën gjallë frymën e arsimit shqip.

“Për 10 vjet, LDK-ja ka organizuar shkollimin e fëmijëve tanë duke e shndërruar arsimin në shtyllë të rezistencës, të mbijetesës dhe të krenarisë kombëtare…Asokohe, LDK-ja mobilizoi tërë popullin e saj në mbrojte të arsimit, të fëmijëve dhe gjithë Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Ksoovë do të mbahen më 6 tetor./21Media