Osmani këmbëngul për gjuhën shqipe, “Jo korrigjime të njëanshme në ligj”

“As një tentim, as analizë, as vlerësim as korrigjim të  njëanshëm nuk guxon të ndodhë”

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani thotë se Komisioni i Venecias e ka përshëndetur dhe pozitivisht e ka vlerësuar përdorimin e zgjeruar të gjuhës shqipe në RMV. E për përdorimin e dygjuhësisë në gjyqësor, Osmani thotë se i është lënë në dorë Qeverisë të vlerësoj nëse vendi ka kapacitet ta zbatoj ligjin e gjuhëve. Dilemë për përdorimin e dygjuhësisë ekziston në bankënota dhe në uniforma të ushtrisë.

Sipas Osmanit, Komisioni ka vlerësuar se përdorimi i dy apo më shumë gjuhëve në bankënota është në kuadër të normave ndërkombëtare.

“Komisioni i Venecias konstaton se përdorimi i gjuhës shqipe në bankënota është krejtësisht në kuadër të normave ndërkombëtare dhe ata përmendin disa vende në të cilët dygjuhësia përdoret në bankënota, përfshirë këtu edhe vetë euron, e cila ka dy gjuhë, e cila në Greqi është edhe me alfabetin cirilik dhe atë latin, pastaj Qipro, Izraeli i cili përdor tre gjuhë në bankënota”, u shpreh Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Dje  kryeministrit Zaev tha se ligji do të shqyrtohet por Osmani këmbëngulë se ligji për përdorimin e gjuhëve nuk guxon të pësojë analiza ose korrigjime të njëanshme. Mes tjerash apelon që të mos përdoret për poena politike.

“Porosia ime ishte shumë e qartë në këtë drejtim, as një tentim, as analizë, as vlerësim as korrigjim të  njëanshëm nuk guxon të ndodhë sepse kjo do të rrënojë fondamentin mbi të cilin bazohet balansi i raporteve maqedono-shqiptare në vend. Debati duhet të jetë apartiak, i papolitizuar, jashtë ndikimit të zgjedhjeve dhe fitimit të poenave zgjedhor”, deklaroi Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Radmilla Sheqerinska  e LSDM-së thotë se ende nuk e ka lexuar tekstin e plotë me konkluza, por beson se zgjidhja do të jetë në interes të të gjithëve. Sheqerinska shtoi se si partner koalicioni do të përkrahin deri në fund sjelljen e këtij ligji, të cilin e kanë marrë përsipër.

“Kërkuam nga Komisioni i Venecias të na japë mendim sipas ligjit, dhe të na jap mendim për dy pyetjet që ia parashtruam e që i kemi lënë të hapura. Kur t’i kemi të gjitha do të nxjerrim rezultatin më të mirë për të gjithë qytetarët, ne besojmë se edhe të drejtat e gjuhës janë të drejta që e ndërtojnë kohezionin e shtetit.  Ligji gjatë kohë është në fuqi, askush nuk u dënua ngase nuk di shqip, siç na kritikuan”, theksoi Radmilla Shekerinska, ministre e Mbrojtjes.

Nga VMRO-DPMNE kërkojnë që ligji të tërhiqet menjëherë nga funksioni, dhe të gjitha palët te ulen e ta përgatisin një ligj, ku siç thonë, do të marrin pjesë të gjitha bashkësitë etnike në Republikën e Maqedonisë.

Aleanca për shqiptarët dhe Lëvizja Besa dje theksuan se shqiptarët nuk janë pakicë dhe se gjuha shqipe duhet të rregullohet përsëri me Kushtetutë.

Ndryshe raporti zyrtar i Komisionit të Venecias për Ligjin për gjuhët do të publikohet nesër./21Media

Back to top button