Osmani kërkon nga Cakaj koordinim më të madh ndërmjet Kosovës e Shqipërisë

Osmani priti në takim Cakajn

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.

Në takim, siç njofton Kuvendi, u bisedua për bashkëpunimin ndërparlamentar, në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Osmani tha se ndër synimet e kësaj legjislature mbetet edhe anëtarësimi i Kosovës në disa mekanizma parlamentarë, në të cilat ndihma e Shqipërisë është e domosdoshme.

Më tej, ajo ka kërkuar nga Cakaj koordinim më të madh ndërmjet Kosovës e Shqipërisë për politikën e jashtme. Sipas saj, nevojiten qëndrime të përbashkëta për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në këtë kontekst, Cakaj ka bërë të ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve është në plan bashkimi i disa ambasadave e konsullatave, të cilat përveç se një shfrytëzim racional do të përbëjnë edhe një mesazh politik.

Të dy u pajtuan se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet të dy shteteve nuk është në nivelin e duhur, duke u zotuar për të shmangur pengesat.

Osmani kërkoi heqjen e barrierave jotarifore për bizneset kosovare që operojnë në Shqipëri./21Media

 

Back to top button