Kutri: Po afrohet përfundimi i suksesshëm i negociatave me LDK-në për formimin e Qeverisë

Kutri: Po afrohet përfundimi i suksesshëm i negociatave me LDK-në për formimin e Qeverisë

Nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani është takuar sot me ambasadorin e Japonisë në Austri, përgjegjës për Kosovë, Kiyoshi Koinuma, të cilin e ka njoftuar me ecurinë e takimeve të grupeve punuese të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Osmani tha se prioritetet e qeverisë së ardhshme do të jenë zhvillimi ekonomik, stabiliteti në vend, reforma në rend dhe ligj si dhe investimi në qytetarët e Kosovës përmes reformave në arsim dhe shëndetësi.

Ndërsa, siç thuhet në komunikaten nga LDK, ambasadori Koinuma uroi Osmanin për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Japonisë të forcojë marrëdhëniet me Kosovën dhe Ballkanin si vazhdimësi e marrëdhënieve të fuqishme që ka Japonia me Bashkimin Evropian.

Ndërsa dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, Fitore Pacolli dhe Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, pritën në takim Ambasadorin e Japonisë Kiyoshi Koinuma, i cili ishte i shoqëruar nga Sekretari i Parë. Mitsunori Ogasawara dhe Përgjegjësi për Zyren Japoneze në Prishtinë, Arbër Myftari.

Koinuma, i cili është në përfundim të mandatit të tij, njoftoi Kurtin për raportet e deritanishme të Japonisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe kulturës.

Siç thuhet në komunikaten nga VV,  Kurti në këtë takim tregoi që po afrohet “përfundimi i suksesshëm i negociatave me LDK-në për formimin e Qeverisë”. Sipas VV-së,  qeverisjen e re do të ndalet korrupsioni brenda Qeverisë dhe do të luftohet korrupsioni jashtë saj. “Prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik, ngritja e cilësisë së arsimimit nëpërmjet sistemit dual arsimor dhe dialogu nga poshtë-lart me minoritet për zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti përsëriti qëndrimin se së pari duhet të kemi një vlerësim të zbatimit të marrëveshjeve të kaluara dhe efekteve të tyre dhe pastaj duhet të ketë një dialog me Brukselin mbi kornizën e dialogut me Serbinë. Dialogu pa parime me Serbinë, duhet të zëvendësohet me dialogun i cili ndërtohet mbi tri parime bazë: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe jo presidentët sipër hartave në tryezë. Vetëm një dialog i përgatitur mirë dhe parimor do të mund të sillte marrëveshje të qëndrueshme mes dy vendeve.“, thuhet në njoftimin e VV-së

Nga janari i vitit 2020, Japonia do ta hapë Ambasadën e saj në Republikën e Kosovës. /21Media