“Ju ftoj që të lidhim besën me njëri-tjetrin që më 6 tetor t’i mundim bindshëm këta mashtrues"

“Ju ftoj që të lidhim besën me njëri-tjetrin që më 6 tetor t’i mundim bindshëm këta mashtrues”

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani në tubimin e sotëm me qytetarë të Fushë Kosovës theksoi se nga 6 tetori, LDK do të merret me Kosovën, e me ata që e keq përdorën besimin dhe paratë e qytetarëve do të merret drejtësia.

Osmani po ashtu tha se Kosovës i duhet një qeveri për t’i shërbyer qytetarëve, bizneseve, spitalet funksionale dhe shkollat vatra diturie për fëmijët.

“Ju ftoj që të lidhim besën me njëri-tjetrin që më 6 tetor t’i mundim bindshëm këta mashtrues, ta kthejmë Kosovën kah e mbara, t’ua heqim qytetarëve sunduesin që i patën mbi qafë deri më sot. T’i heqim ata që krijuan pasuri milionëshe nëpërmjet zhvatjes së qytetarëve të Kosovës. T’ua heqim bizneseve përqindjen e haraçit që ua kërkojnë. Ta bëjmë Kosovën të jetueshme. Ta bëjmë pushtetin shërbyes për qytetarët, ndihmues për bizneset, t’i bëjmë spitalet vende ku njerëzit vërtet shërohen. T’i bëjmë shkollat vatra diturie për fëmijët tanë. Ta bëjmë Kosovën destinacion të perspektivës së rinisë tonë të mrekullueshme”, deklaroi Osmani.

Kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani, mes tjerash tha se njerëzit që keqpërdorën besimin e qytetarëve po ua dëshmojnë edhe atyre që i kanë votuar më herët, se kush janë me të vërtetë dhe çka janë në gjendje të bëjnë, teksa theksoi se e gjejnë një kompani marketingu, nënshkruajnë marrëveshje gjëja për të lobuar për Kosovën, por shfrytëzojnë për t’i gënjyer qytetarët e Kosovës.

Ajo tha se me paratë e qytetarëve, PDK po tenton t’i gënjejë, ku për këtë kërkoj që mos t’i besojnë asnjërit prej tyre.

“Dua t’ju siguroi edhe juve se ne jemi të bashkuar sikur në kohën e presidentit Rugova dhe jemi të vendosur si kurrë më parë për t’ia kthyer Kosovën qytetarëve të saj, në të cilën ata duhet të jetojnë të lirë, të pa shantazhuar dhe të pa kërcënuar nga sajuesit e lajmeve të rreme dhe sajuesit e shpifjeve që askush më nuk iu beson. Neve na duhet që me referendum gjithë popullor ta çojmë PDK-në në opozitë të gjatë nga 6 tetori. Kurse, ne që do t’i fitojmë zgjedhjet nuk e kemi ndërmend t’i amnistojmë kimet e kriminelët. Prandaj, qeverisja e LDK-së e drejtuar nga unë do t’ia kthej një partneritet të vërtetë raportin e Kosovës me aleatët e saj, sepse ne jemi të vërtetë, ne nuk jemi të rrejshëm”, deklaroi Osmani.

Kryetari i Fushë Kosovës Burim Berisha, tha se janë mobilizuar që më 6 tetor të festojnë fitoren, pasi qeveria e ardhshme e LDK-së do të punojë për të gjitha bizneset, të papunët, pensionistët dhe studentët.

“Ne besojmë në një të ardhme për Kosovën, ne besojmë në Kosovën e lirë. Vetëm liri, liri dhe asnjë gjë tjetër. Liria po na mungon, dhe ta gjejmë kush e ka rrëmbyer atë liri për nxënësin, për studentin, për bujkun dhe për të gjithë”, deklaroi Berisha.

Kryetari i Degës së LDK-së në Fushë Kosovë, Fadil Krasniqi, tha se ‘uragani’ i fitores së kësaj partie ka arritur jo vetëm në Fushë Kosovë, por në të katër anët e Kosovës.