“LDK ashtu siç ndërtoi themelet e këtij shteti, ashtu do të mbrojë këtë shtet në kufijtë ekzistues"

“LDK ashtu siç ndërtoi themelet e këtij shteti, ashtu do të mbrojë këtë shtet në kufijtë ekzistues”

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani tha të dielën gjatë tubimit elektoral në Vushtrri, se kolonel Ahmet Krasniqi ka qenë komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe ushtar i Ibrahim Rugovës, të cilin kundërshtarët e sotëm politikë e kanë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme.

“Ahmet Krasniqi ka qenë komandant i FARK-ut, të cilin kundërshtarët e mi politikë e kanë kundërshtuar dhe nuk e kanë votuar asnjëherë në Parlament. Ahmet Krasniqi ka qenë ushtar i Ibrahim Rugovës. Ai ishte i tërë popullit dhe ne jemi të vetmit që e vazhdojmë rrugën e tij”, tha Osmani.

Ajo iu tha mijëra simpatizantëve të LDK-së se me të si kryeministre, Kosova do të jetë një dhe e pandashme.

“LDK ashtu siç ndërtoi themelet e këtij shteti, ashtu do të mbrojë këtë shtet në kufijtë ekzistues. Më 6 tetor, me mbështetje qytetare, ne do t’i dërgojmë në opozitë të gjatë ata që e kanë krijuar modelin e zhvatjes dhe nëpërkëmbjes së shtetit, pra PDK-në. Do t’i dërgojmë në opozitë njëherë e mirë duke ua kthyer qytetarëve të Kosovës shpresën për ditë më të mira në këtë shtet”, shtoi Osmani.

Kandidatja për kryeministre tha se LDK-ja është parti që bazën e ka te lidhja me qytetarët.

“Ashtu siç e keni rikthye LDK-në në pushtet në Vushtrri, kur të tjerët nuk e besonin një gjë të tillë, ashtu do ta kthejmë LDK-në në pushtet edhe në qeveri. Dëshmojani të gjithëve më 6 tetor që fitorja jonë, jo vetëm që është e mundur, por do të jetë aq e thellë saqë nuk do t’i lusim tjerët që të vijnë me neve në qeveri. LDK angazhohet për shtet të pavarur e sovran dhe në miqësi me SHBA-të. Vushtrria nuk i do të tillët që Amerika thoshte se ua kanë ngulur shpinën pas shpinë. Me mua si kryeministre Kosova nuk do ta humbasë asnjë centimetër të territorit të Kosovës dhe askush nuk mund të formojë shtet mbi shtetin e Kosovës”, tha Osmani.

Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, ka thënë në Vushtrri, se LDK-ja e ka ndërruar standardin e mbajtjes së tubimeve, sepse ka dalë nga sallat në sheshet e qyteteve për shkak të masivitetit të pjesëmarrjes.

“Qytetarët e Vushtrrisë dhe gjithë Kosovës po kthejnë besimin e madh te LDK-ja dhe kandidatja jonë Vjosa Osmani. Ka ardhur koha që LDK-së t’i jepet forca e partisë së parë dhe kryeministres tonë Vjosa Osmanit”, tha ai.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se ky qytet, i cili identifikohet me Hasan Prishtinën dhe Ahmet Krasniqit, sikur dy vjet më parë, edhe më 6 tetor do ta bëjë ndryshimin e madh në nivel të Kosovës, duke i fituar zgjedhjet dhe duke e dërguar përfundimisht PDK-në në opozitë.