"Vota për të tjerët janë vota të humbura, sepse vetëm LDK-ja është një parti që e shpëton Kosovën"

Vota për të tjerët janë vota të humbura, sepse vetëm LDK-ja është një parti që e shpëton Kosovën”

Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani, gjatë tubimit elektoral në Pejë, tha se më 6 tetor, me vullnetin e lirë qytetarët e Kosovës do të votojnë për t’i hequr qafe zullumqarët që e kanë ngulfatur shtetin dhe e kanë vrarë ardhmërinë e tyre.

“Ata i kanë ngulfatur të gjitha institucionet përfshirë Universitetin e Pejës. I kanë mbushur me militantë të gjitha këto institucione dhe po vazhdojnë t’i mbushin edhe tani në kohë fushatë. Në do t’i ç’kapim të gjitha këto institucione nga këta njerëz të krimit e korrupsionit, do t’i ç’kapim nga këta që rrënuan çdo gjë në Kosove. Do t’i largojmë nga pushteti ata që ja kanë zënë frymën Kosovës. Më 6 tetor PDK-në dhe partnerët e saj të korruptuar do t’i dërgojmë në opozitë të gjatë”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se këto ditë është dëshmuar rikthimi i madh i LDK-së, prandaj është e domosdoshme që të gjithë mbështetësit dhe simpatizantët e LDK-së të dalin në zgjedhje.

“Flisni me të rinjtë. Perspektiva e tyre është e garantuar vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Që udhëhiqet mbi parimin e kujdesit për familjen dhe ndërtimit të së ardhmes për të rinjtë tanë. Le ta mbështesin edhe ata LDK-në. Le t’i votojnë tri shkronjat e arta: LDK. Numrin 134. Le të zgjedhin mes 110 kandidatëve të mrekullueshëm të listës sonë”, shtoi Osmani.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se shpresa e vetme për Kosovën është fitorja e LDK-së dhe Vjosa Osmanit në zgjedhje.

“LDK-ja do të fitojë dhe duhet të fitojë në këto zgjedhje. Vota për të tjerët janë vota të humbura, sepse vetëm LDK-ja është një parti që e shpëton Kosovën. Ne nuk jemi në armiqësi me të tjerët, por jemi në miqësi me Kosovën”, tha kryetari Mustafa.

Ai tha se e mira e Kosovës është që PDK të shkojë në opozitë, sepse sipas tij kjo i bën mirë edhe Kosovës edhe PDK-së për të reflektuar. Mustafa ka komentuar edhe sloganin e AAK-së në zgjedhje 100% shtet, duke thënë se Kosova asnjëherë nuk do të jetë 100% shtet pa përkrahjen e aleatëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të bashkimit Evropian.

“Nuk thuhet 100% Kosovë nëse buxhetin e shtetit e përdorin sikur kuletën e tyre”, shtoi Mustafa.

Ai foli edhe për Vetëvendosjen për të cilën tha se kjo parti afër LDK-së mund të mësojnë si qeveriset mirë dhe drejt dhe si mbahet partneriteti me SHBA dhe BE.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se këtij qyteti dhe gjithë Kosovës do t’i kthehet shpresa me fitoren e LDK-së dhe Vjosa Osmanit në zgjedhje. Ai tha se Amerika nuk e përkrah korrupsionin dhe krimin e organizuar, “siç po pretendojnë disa, por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e përkrahin LDK-në, Vjosën, lirinë, demokracinë dhe barazinë, e përkrahin Kosovën e Ibrahim Rugovës”./21Media