“Oponentët tanë të frikësuar nga vullneti qytetar për LDK-në, po tentojnë ta blejnë vullnetin qytetar"

“Oponentët tanë të frikësuar nga vullneti qytetar për LDK-në, po tentojnë ta blejnë vullnetin qytetar”

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani tha të dielën në një tubim elektoral në Degën II të Prishtinës, se nuk ka asgjë që e ndalë fitoren e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, por kërkoi nga prishtinasit që të kontribuojnë që fitorja të jetë e thellë dhe bindëse.

“Kryetari i Prishtinës mund t’u ketë harruar, por kryeministrja juaj nuk ka për t’ju harruar. Në do të fitojmë bindshëm në nivelin qendror, për të fituar pas dy vjetësh edhe në Prishtinë”, tha Osmani.

Ajo ka paralajmëruar oponentët politikë se nuk mund t’i ikin drejtësisë për shpifjet dhe montazhet e tyre në këtë fushatë.

“Oponentët tanë të frikësuar nga vullneti qytetar për LDK-në, po tentojnë ta blejnë vullnetin qytetar, e disa po prodhojnë mashtrime e lajme të rrejshme, po bëjnë  montazhe e çka jo tjetër. Por nuk ka qytetar të këtij vendi që mashtrohet nga ta, prishtinasit nuk mashtrohen më as prej montazheve, as lajmeve të rrejshme. Ne kemi vendosë t’i përbuzim të tillët, por le ta dinë një gjë të gjithë, ata që po prodhojnë montazhe e lajme të rreme, se do të përgjigjen para ligjit. Le ta dinë që duke shpifur nuk mund ta fitojnë besimin qytetar”, shtoi Osmani.

Sipas saj, ata që po e kritikojnë për mungesë guximi janë vetë frikacakë.

“Patriotë modernë është ai që krijon një vend pune, e jo ata që dalin rrahin gjoks e tregojnë muskuj. Sikur të ishin patriotë, nuk do të iknin nga përgjegjësia e udhëheqjes së bisedimeve në Bruksel duke ia lënë fatin e Kosovës në duar presidentit Thaçi. Po të ishin të guximshëm këta që janë në Prishtinë nuk do të thoshin se janë frikësuar që t’i ndalin ndërtimet pa leje, e nuk do të frikësoheshin të vendosin lule te varri i presidentit Rugova”, tha në fund Osmani.