"Me mua si kryeministre asnjë centimetër i territorit nuk do ti shkoj askujt"

“Me mua si kryeministre asnjë centimetër i territorit nuk do ti shkoj askujt”

Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, është betuar sot para qytetarëve të Mitrovicës se me të si kryeministre, Mitrovica dhe veriu jo vetëm që do të mbeten brenda territorit të Kosovës, por do të jenë edhe më e zhvilluara.

Sipas saj, derisa çdo cep tjetër i Kosovës mund të flas për liri, në Mitrovicë akoma ekziston plaga e hapur, andaj kërkoi votën e mitrovicasve në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të mbyllet kjo plagë.

“Askush më mirë se ju mitrovicas të dashur nuk e din që me mua si kryeministre asnjë centimetër i territorit nuk do ti shkoj askujt…Prandaj edhe sot ua jap fjalën, ua jap besën time, se Mitrovica jo vetëm se do të jetë pjesë e Kosovës dhe gjithë veriu i Kosovës do të mbetet brenda, por do të jetë një veri, një Mitrovicë, e zhvilluar, sepse mjaft më Mitrovica është lënë në haresë. Ka ardhur koha që kryeministrja dhe qeveria e vendit t’i kthej sytë nga Mitrovica, dhe Mitrovicës t’i  kthehet nami i zhvillimit dhe shkëlqimi që e kishte dikur”, ka thënë Osmani.

Ajo, duke përkujtuar se veriu i Kosovës do të ishte harruar sot, sikur presidenti Rugova të mos e kishte thënë në vitin 1992 se asnjë pëllëmbë të saj nuk e jep, tha se ky amanet i shenjtë do të mbahet dhe do të çohet deri në fund.

Osmani foli edhe për programin ekonomik special për Mitrovicën, për të cilin potencoi se vetëm LDK-ja e kupton drejtë këtë zhvillim ekonomik.

“Ju e dini se unë jam e vetmja që e kam planin special zhvillimor për Mitrovicën dhe ju e dini se vetëm një parti e kupton drejtë se zhvillimi ekonomik, punësimi, duke vënë familjen si shtyllë kryesore të zhvillimit ekonomik, duke investuar në arsim e shëndetësi, e jo duke shtruar asfalt nëpër arat e veta, është LDK-ja”, theksoi Osmani.

Ajo shtoi se partia të cilën e përfaqëson, përveç se është lidhja e vetme me qytetarin, është edhe e vetmja mundësi që do t’i hap dyert Kosovës nëpër botë dhe do ta shpërthej izolimin.

Sipas saj, LDK-ja me fitoren e saj do ta çlirojë Kosovën nga krimi e korrupsioni dhe nga ata që nuk menduan kurrë për interes të qytetarëve.

Lutfi Haziri, nënkryetar I LDK-së, tha se në Kosovë po ndodhë mrekullia, sepse zonja e shtëpisë po bëhet zonjë e shtetit.

Ai ka hequr dilemat se në qytetin e Mitrovicës ekziston një ambient i vështirë politik, meqë Mitrovica ka dy kandidatë për kryeministër, duke thënë se Vjosa do të bëhet kryeministre, ndërsa tjetri do të shkoj në opozitë.

“Disa thonë se Mitrovica e ka të vështirë ambientin politik, sepse i kemi dy kandidatë të Mitrovicës, se njerëzit mund të ndahen.  Por nuk është e vërtetë. Ju kam thënë të gjithëve, është e vërtetë se Mitrovica ka me i pas dy emra, por Vjosa kryeministre, ndërsa ai tjetri në opozitë”, u shpreh Haziri.

Ai shtoi se me fitoren e madhe të LDK-së, 6 tetori do të kthejë historinë e Kosovës.

Në anën tjetër, kryetari I LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, ka garantuar se me qeverisjen e LDK-së, shqiptarët e shpërngulur nga veriu do të kthehen në pronat e tyre, si dhe do të rindërtohet xhamia e Ibrit.

“Shumë nga ju akoma e vuani shpërnguljen nga veriu në jug, akoma nuk keni shtëpi. Ne ju garantojmë se shtëpitë e juaja atje do të rindërtohen, ju do të ktheheni në pronat tuaja, e si simbolikë të rikthimit të shtetit në veri, do ta rindërtojmë xhaminë buzë urës së Ibrit”, theksoi Kamberi.

Në fund u prezantuan kandidatët e kësaj partie nga Mitrovica, për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.