Osmani uron Laurën e Akilin: Ky është imazhi i Kosovës në botë

Sot Kosovës iu shtuan edhe dy medalje të reja nga garat në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.
Xhudistja, Laura Fazliu, arriti ta fitojë medaljen e artë në kategorinë deri në 63 kilogramë, kurse xhudisti, Akil Gjakova fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Fazliu e mposhti në finale xhudisten spanjolle Cristina Cabana Perez, kështu duke ia siguruar Kosovës medaljen e dytë të artë në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, kurse Akil Gjakova ishte në garë për medaljen e bronztë, ku edhe e fitoi atë kundër xhudistit italian, Manuel Lombardo.
Për suksesin e tyre, ka reaguar presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani, e cila përmes një postimi në “Facebook” tregoi se ky sukses është imazhi i Kosovës.
“Sot, si çdo ditë tjetër, çikat e djemtë tanë po ia zbardhin fytyrën vendit dhe po shkruajnë historinë e re të Kosovës. Edhe një e artë iu shtua xhudos. Atë e fitoi Laura Fazliu, çika e artë e Kosovës. Të lumtë, Laura!Ndërsa, Akili ynë, si çdoherë tjetër na bëri rishtas krenarë, duke e fituar medaljen e bronztë, kësaj radhe. Faleminderit, Akil”, ka shkruar Osmani në Facebook./21Media

Back to top button