Pa trena deri në formimin e Qeverisë

Linjat e qarkullimit të trenave të mbyllura deri në rishikimin e buxhetit

Hekurudhat e Kosovës nuk do të mund të vënë në qarkullim linjat e ndërprera të trenave pa u bërë rishikimi i buxhetit për vitin 2017, bëjnë të ditur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Por, rishikimi i buxhetit, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi nuk mund të bëhet pa konstituimin e institucioneve të reja, Kuvendit dhe Qeverisë, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Ministri në largim i Infrastrukturës, Hanefi Muharremi tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nga subvencionet kishte ndarë mjete për hekurudhat e Kosovës, respektivisht ndërmarrjen “Trainkos”, në vlerë prej 1.34 milion euro. “Hekurudhat e Kosovës deri në fund të gushtit edhe në shtator i kanë mjetet që të jenë në funksion për arsye se i kanë edhe mbi 245 mijë euro në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që ata i bëjnë pagesat për derivate dhe mund të punojnë, dhe shpresojë që deri në atë kohë të bëhet ndonjë zgjidhje dhe t’i dalim përballë kërkesave dhe ata të vazhdojnë punën”, thekson ai.

Kurse , Vlora Jahaj, zyrtare për informim në “Infrakos”, thotë se në mënyrë që të mundësohet funksionimi i ndërmarrjes dhe të mos krijohen probleme sociale me punonjësit, institucionet kompetente duhet të ndërmarrin veprime urgjente në mbulimin e obligimeve ligjore. “Bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti konstatojnë se “Infrakos” ka shtjerrë të gjitha mundësit financiare që varen nga kjo kompani dhe nuk mund të bëjë asgjë në tejkalimin e situatës ekzistuese pa kryerjen e obligimeve ligjore nga Qeveria, siç parashihet me Ligjin mbi hekurudhat”, thekson Jahaj.

Sidoqoftë, ministri në largim i Infrastrukturës, Hanefi Muharremi konsideron se hekurudhat kanë mjete të funksionojnë deri në fund të muajit shtator.

Qarkullimi i trenave në linjën e Pejës dhe atë të Hanit të Elezit është ndërprerë në fillim të muajit gusht për shkak të, siç thuhet, mungesës së mjeteve financiare. E vetmja linjë hekurudhore që është në operim, në transportin e udhëtarëve, mbetet ajo Prishtinë – Shkup dhe anasjelltas.

Back to top button