Procedura u krye pa komplikime te një 62-vjeçar

Procedura u krye pa komplikime te një 62-vjeçar

Për herë të parë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Klinikën e Radiologjisë është realizuar heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike – trombektomia mekanike e M2 segmentit të arteries cerebri media majtas – me metodë radiologjike neurointervente minimale invazive.

Realizimi i kësaj metode është bërë pas investimeve në Stroke Center, trajnimeve të stafit dhe blerjes së materialit që ka bërë menaxhmenti i ShSKSUK-së, i udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK, Basri Sejdiu dhe me përkrahje dhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Procedura u krye pa komplikime te pacienti mashkull i moshës 62-vjeç, i cili kishte dorën e palëvizshme dhe këmbën e djathtë të dobësuar, pas procedurës i është kthyer menjëherë lëvizshmëria e dorës së djathtë. Po ashtu, të folurit e humbur në tërësi, ndërsa pas 12 orëve nga kryerja e procedurës, pacienti ka filluar të artikulojë zë dhe lëvizë lirshëm edhe me këmbë.

Kjo procedurë u mundësua si rezultat i planifikimit, projektimit, aftësimeve të realizuara në botë dhe në Zagreb Kroaci dhe bashkëpunimit ndërmjet Klinikës së Radiologjisë, Klinikës së Neurologjisë, Klinikës Emergjente dhe Klinikës së Anesteziologjisë.

Brenda tri-katër orëve pas sulmit në tru, procedurën e kanë realizuar ekipi i radiologëve, Dr. Bujar Gjikolli, Dr. Arben Kutllovci, përkrahur nga radiologët kujdestar Dr. Agron Arifi, Dr. Ilir Bejta, me referimin e neurologëve kujdestar Dr. Rushit Jashari, Dr. Valbona Spanca e Dr. Milaim Krasniqi, me asistimin e teknikëve të radiologjisë Shekfi Bytyqi, Ariana Neziri.

Klinika e Radiologjisë, është e pajisur me materiale për të plotësuar nevojat e pacientëve me infarkte në tru.

Në proces është edhe blerja e një angiografi të avancuar për të përkrahur këto procedura në nivel bashkëkohor.