Pacolli viziton Shqipërinë

Pacolli viziton Shqipërinë

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, vizitoi sot zonat e prekura rëndë nga tërmeti që goditi një ditë më parë Shqipërinë, dhe i cili la mbi 30 të vdekur dhe mbi 600 të plagosur.

Pacolli tha se për kombin shqiptar, kjo është situata më tragjike në 20 vjetët e fundit.

Mbërrita sot në zonat e prekura të tërmetit në Shqipëri që la shumë të vdekur, shumë të plagosur, dhe shkatërroi shumë shtëpi dhe banesa. Në Thumanë vizitova komunitetet e prekura. Shpreha mbështetjen institucionale dhe private dhe në koordinim me autoritetet përkatëse shqiptare do të ndihmojmë qytetarët e Thumanës dhe të Shqipërisë”, tha Pacolli.

Ai tha se është krenar për solidaritetin që po tregon Kosova për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri dhe se vlerëson shumë ndihmën e ushtarëve e zjarrfikësve të Kosovës, të cilët po japin gjithçka nga profesionalizmi i tyre.

Gjatë vizitës në zonat e prekura nga tërmeti në Durrës, ministri Pacolli takoi edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilit në emër të tij dhe të popullit të Kosovës i shprehu ngushëllime për të gjitha jetët e humbura.

E sigurova kryeministrin Rama për mbështetjen institucionale dhe atë të qytetarëve të Kosovës. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë bashkë dhe të sigurohemi që të gjitha familjet e prekura të kenë së shpejti një çati mbi kokë – për t’u rikthyer jetës normale. Ky është një mision kombëtar tani”, tha ministri Pacolli.

Pas vizitës në Thumanë dhe Durrës, ministri Pacolli është pritur në takim nga kryeministri Rama, të cilin e ka informuar për vendimet që ka marrë Qeveria e  Kosovës për të ndihmuar Shqipërinë në tejkalimin e gjendjes së krijuar pas tërmetit.