Kosova duhet të përqëndrohet në të ardhmen, porositi Pacolli

Kosova duhet të përqëndrohet në të ardhmen, porositi Pacolli

Ministri i Punëve të Jashtëm, Behgjet Pacolli, mori sot pjesë në konferencën “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”

“Kam nderin dhe kënaqësinë e madhe t’ju mirëpres në Prishtinë. Dhe, në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, jemi të kënaqur dhe të nderuar, që të jemi nikoqir të kësaj konference rajonale, e para e këtij lloji, mbi NATO-n dhe Ballkanin Perëndimor. Dëshiroj të shpreh një mirëseardhje të veçantë për mysafirët tanë, për zyrtarët e NATO-s dhe shumë ekspertë dhe kontribues nga Kosova, rajoni dhe më gjerë”, ka thënë Pacolli në konferencë.

“Është, gjithashtu, një kënaqësi dhe nder për mua sot, për t’u bashkuar me miqtë tanë të dashur, të cilët ishin dhe mbeten edhe më tutje përkrahësit më të devotshëm të Kosovës dhe popullit të saj. Ju, të dashur miq të Kosovës … Ju na keni premtuar se gjithçka do të jetë mirë dhe njerëzit e Kosovës do të kthehen në shtëpitë e tyre. Tani Kosova është e lirë, populli i Kosovës është kthyer në shtëpitë e tyre dhe ne po ndërtojmë së bashku me ju, të ardhmen tone”, ka thënë ministri.

Më tej Pacolli ka thënë se Kosova duhet të përqëndrohet në të ardhmen dhe se vendi ynë duhet të jetë kontribuues i sigurisë dhe i paqes.

“Siç e shihni, Kosova nuk e ka harruar të kaluarën. Faleminderit miq të dashur. Por, sot duhet të përqendrohemi në të ardhmen dhe të shohim se si mund ta sfidojmë të arriturën e re … Dhe kjo sfidë, për Kosovën është të jetë shteti anëtar i radhës i NATO-s. Rajoni dikur i prekur nga lufta, sot konsumuesi i të mirave të paqes. Kosova dëshiron të jetë jo vetëm konsumues, por edhe kontribuues i sigurisë dhe i paqes. Jetojmë në një rajon që i përket NATO-s.Anëtarësimet e deritanishme të Malit të Zi këtë vit, e Shqipërisë dhe Kroacisë para 8 viteve, kanë krijuar një rajon të sigurt. Jetësimi i anëtarësimit të Maqedonisë dhe fillimi i negociatave me Kosovën do t’i kontribuojë paqes. Prania e KFOR-it e domosdoshme, por fillimi i negociatave për anëtarësim në NATO është i domosdoshëm.Kosova multietnike – në NATO-n shumëkombëshe. Në Kosovë flamujt e NATO-s – duam që në NATO të valojë flamuri i Kosovës. Në Kosovë shumë ekspertë të NATO-s, duam që edhe ekspertët e Kosovës të jenë në NATO. Duam që Kosova të kontribuojë me ekspertizën e vet në NATO dhe misionet e NATO-s jashtë. Deri më sot bashkëpunim i frytshëm në implementimin e sanksioneve, parandalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja, koalicionin e përbashkët në luftën kundër ISIS-it”, ka thënë Pacolli.

Ministri më tej ka thënë se ne kemi nevojë për një rrugë të qartë drejt BE-së dhe NATO-s dhe se ne të gjithë duhet ta njohim përparimin e rëndësishëm që ka bërë rajoni në dy dekadat e fundit, lloj i përparimit që do të ishte i pamundur pa perspektivën e NATO-s dhe BE-së në tryezë.

“Ato janë dy anët e së njëjtës monedhë: stabiliteti që sjell anëtarësimi në NATO, rritet dhe sigurohet më tej me procesin e transformimit të reformave të BE. Së bashku ne nuk mund të harrojmë atë që është me rëndësi historike dhe strategjike”, ka thënë Pacolli./21Media