Pacolli: Investitorët e huaj po ikin nga Kosova

Pacolli inkurajoi studentët që ta heqin frikën dhe të zhvillojnë idetë për realizim

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, sot mbajti ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, me ç’rast shpalosi qëllimin, vizionin, sfidat, suksesin dhe karrierën e tij.

Pacolli duke treguar se e nisi karrierën si një mësues pa dëshirën e tij në Marec , por për shkak të mungesës së perspektivës në atë fshat të lindjes, si mësues punoi për një periudhë mjaft të shkurtër edhe pse ishte rekomandim i babait të tij që ta vazhdojë këtë profesion mbasi kishte mbaruar mësimet e shkollës normale.

Pacolli foli për sakrificat e tij gjatë studimeve për në fushën e Shkencave Ekonomike në Prishtinë dhe Gjermani.

Ai tregoi se si i mori hapat e parë në punën e tij si ndihmës -menaxher nëpër industritë e Kosovës duke vazhduar pastaj edhe jashtë vendit. Duke u rrëfyer para studentëve, Pacolli tregoi se themelimi i kompanisë së tij “Mabetex”, kishte ardhur në një kohë kur ai ishte papunë si 32 vjeçar, dhe se që nga themelimi i tij, suksesi nuk i ka munguar. Tha se sfidë për të ka qenë integrimi i tij si biznesmen nga Mareci në Evropë, por se dëshira e tij i mundi të gjitha sfidat nëpër të cilat ka kaluar.

Duke folur për vizionin e tij, ai inkurajoi studentët që ta heqin frikën dhe të zhvillojnë idetë për realizim. Sipas tij, implementimi i një projekti ideshë realizohet me fuqinë shpirtërore dhe guxim.

Pacolli u rekomandoi studentëve se duhet të kenë sens të dashurisë ndaj të tjerëve, pa qenë të vetmuar asnjëherë dhe në bashkëpunim dhe me imagjinatë për realizimin e projekteve.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, Pacolli tha se shteti duhet t’i trajtojë investitorët e huaj, sepse, sipas tij, ata po ikin nga Kosova.

Presidenti i AKR-së duke treguar se shteti nuk ndërton fabrikë por krijon infrastrukturë tha se idetë e tij të prezantuara në projekte-ide para autoriteteve ruse ishin të mahnitshme për ta dhe prej atij momenti, sipas tij, ka filluar realizimi i kontratave të para për projekte ndërtimore.

Ai tha se dëshira e tij ka qenë që të krijojë një ndërmarrje globale dhe mendon se ia ka arritur këtë.

Futja e tij në politikë kishte për qëllim zhvillimin ekonomik, zhvillimin e sektorit të rinisë, shëndetësisë dhe arsimit, sepse, sipas tij, këta sektorë ishin në kaos nga njerëzit e politikës që vepronin në mënyrë shtazarake. Pacolli tha se për rininë e Kosovës nuk është bërë dhe nuk po bëhet asgjë fare.

Ai para studentëve tha se jeta përbëhet nga dy gjëra, nga puna dhe fjala. Sipas Pacollit, shoqëritë sot po dështojnë, duke mos pasur ose punën ose fjalën. Ai tha se një njeri i cili zotëron këto dy kritere plotëson të gjitha kushtet për të qenë i suksesshëm. Për këtë Pacolli sugjeroi studentët që të jenë titullar të punës dhe fjalës.

Back to top button