Kosova hyn në agjendë për anëtarësim në Interpol

Kosova hyn në agjendë për anëtarësim në Interpol

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova është rikonfirmuar në agjendë për tu anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare INTERPOL.

Pacolli përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kosova mori mbështetje me shumicë votash, në Lyon të Francës në mbledhjen e këshillit ekzekutiv të Interpolit.

“Kosova tani pret që në Asamblenë e Përgjithshme, të jetë anëtare e barabartë e Interpolit në Nëntor të këtij viti në Emiratet e Bashkuara Arabe. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol nuk përbën kërcënim për askënd. Kosova në Interpol i kontribuon luftës globale kundër krimit të organizuar, ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomeneve tjera kriminale”, ka shkruar ai.

INTERPOL-i është organizatë ndërkombëtare që lehtëson bashkëpunimin në mes të policive për çështjet kriminale.

Kosova ka aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në Interpol më ç’rast është futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të Interpolit, në mënyrë që të votohej për pranim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila është mbajtur më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin. Përderisa territori palestinez dhe Ishujt Solomon janë pranuar në këtë organizatë, Kosova e ka tërhequr kandidaturën e saj pasi ka marrë informata se anëtarësimi mund të mos përkrahej nga vendet anëtare./21Media