U sulmua në Serbi një autobus nga Kosova

U sulmua në Serbi një autobus nga Kosova

Ministri në dorëheqje i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar se mbrëmë në Serbi është sulmuar një autobus me udhëtarë kosovarë gjatë rrugës nga Prishtina për në Frankfurt.

Pacolli përmes rrjetit social “Twitter” ka kërkuar nga BE që Serbia të ndalë sulmet dhe të ofrojë siguri për qytetarët e Kosovës.

Unë e dënoj fuqishëm sulmin ndaj autobusit të mbushur me udhëtarë që po udhëtonin nga Kosova nëpër Serbi për në Bashkim Evropian. Serbia vazhdimisht po dështon të ofrojë siguri për udhëtarët tanë dhe liri të lëvizjes. Ne bëjmë thirrje për hetime dhe garanci për sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli ka shtuar se sulmet e koordinuara ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të ndalen dhe ka bërë thirrje ndaj Bashkimit Evropian që të veprojë si lehtësues i marrëveshjes për lëvizje të lirë.

Një autobus i agjensionit “Shpejtimi” nga Kosova, por me targa të Shqipërisë, është sulmuar mbrëmë në Krushevac të Serbisë. Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar drejtori i kompanisë turistike “Shpejtimi”, Ekrem Veselaj./21Media