Pacolli kërkon shkarkimin e ambasadores Çitaku

Pacolli: Nuk kemi nevojë për Ambasadorë që shpërndajnë informata të pavërteta

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se nëse lajmi për njohje nga Xhamajka është i pavërtetë, Ambasadorja Çitaku duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari.

“Siç po duket shumë shpejt aksioni për pastrimin e Shërbimit të Jashtëm do të prek edhe Ambasadorë. Nëse informatën e pavërtetë për njohje ka dhënë Ambasadorja Çitaku ajo duhet të mbahet përgjegjëse e duhet menjëherë të jap llogari. Kosovës tani i duhen Ambasadorë kompetent, profesional, të përgjegjshëm e në shërbim për të mirën e shtetit. Nuk kemi nevojë për Ambasadorë që shpërndajnë informata të pavërteta. Nëse vërtetë lajmi për njohje nga Xhamajka është i pavërtetë, Ambasadorja Çitaku duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Një ditë më parë, kur presidenti Hashim Thaçi deklaroi se Xhamajka e ka njohur pavarësinë e Kosovës, deputetja Pacolli ishte deklaruar se “Era e ndryshimit politik në Kosovë po ndihet edhe jashtë saj”, për shkak të qeverisjes aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje.


Ndryshe, Ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina Smith reagoi mëngjesin e sotëm në Twitter duke thënë se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën./21Media

Back to top button