Keita ka vlerësuar zhvillimet pozitive në Kosovë, rolin dhe angazhimin e deritanishëm që ka dhënë Misioni Paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara

Keita ka vlerësuar zhvillimet pozitive në Kosovë, rolin dhe angazhimin e deritanishëm që ka dhënë Misioni Paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli ka deklaruar se pas shpalljes së pavarësisë, Këshilli i Sigurimit duhet të shqyrtojë transformimin e UNMIK-ut në Zyrë Politike të OKB-së dhe paralelisht me këtë të ndihmojë Kosovën në realizimin e aspiratave për t’iu bashkuar komunitetit të kombeve të lira dhe paqedashëse.

Ai gjatë takimit me ndihmës sekretaren e Përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse të OKB-së, Bintaoi Keita, ka kërkuar që ndryshohet formati i diskutimeve mbi Kosovën, pasi që ato po abuzohen nga Serbia për ta penguar Kosovën si dhe të reduktohet buxheti i misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

“Formati i tanishëm i diskutimeve mbi Kosovën duhet ndryshuar dhe seancat duhet të reduktohen nga 4 në 1 apo 2 në vit. Dëshira jonë është të mos ndodhin ato fare apo të mbahen në debat të mbyllur për publikun. Diskutimi në KS të OKB-së po abuzohet nga Beogradi, duke dhënë një narrativë të ndryshëm. Në Evropë Serbia synon të promovojë veten si një lojtar konstruktiv, ndërsa në OKB vazhdon me politikën e saj të vjetër për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe të paraqes një imazh të rremë se Kosova është ende një zonë konflikti”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se do të ishte mirë, që UNMIK-u ta zvogëlojë buxhetin, pasi që nuk reflekton realitetin në terren.

”Ne, e kuptojmë se kjo nuk është një vendim i marrë nga ju, por buxheti i UNMIK-ut nuk mund të shpenzohet për çështje që lidhen me çështjet politike, sundimin e ligjit apo fusha të tjera që mund të ndërhyjnë në kompetencën e Qeverisë”, ka shtuar numri dy i Qeverisë.

Ndërsa, ndihmës-sekretarja e Përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse të OKB-së, Bintaoi Keita ka vlerësuar zhvillimet pozitive në Kosovë, rolin dhe angazhimin e deritanishëm që ka dhënë Misioni Paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara, bashkëpunimin me Institucionet e Kosovës, ndërkohë që është zotuar në adresimin e kërkesave nga kryediplomati kosovar Pacolli.