Pacolli: Kosova pas luftës ka përparuar shumë ngadalë

Pacolli ka folur për përvojën e tij jetësore në aspektin e kreativitetit

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të kolegjit “Globus”, me ç ‘rast është shprehur se çdo njeri e ka një vend të caktuar në shoqëri dhe se rinia duhet ta marrë fjalën kryesore duke përdorur potencialin e vet për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

Ai ka thënë se Kosova pas luftës ka përparuar shumë ngadalë, pavarësisht se ka pasur premtime dhe fjalë të mëdha, por që në vepra shumë pak është realizuar.

“Jetojmë në një shoqëri, e cila ka pësuar ndryshime të mëdha në një kohë të shkurtër dhe shumë gjëra janë bërë siç duhet, shumë nuk janë bërë. Tani nëse e analizoj kohën e pasluftës mund të them se është thënë shumë dhe është bërë më pak. Nëse kjo ecje e ngadalshme e Kosovës së pasluftës do të ndodhte në vitet ‘60-‘70 asgjë nuk do të ishte katastrofale, ndërkohë që një shoqëri që ecën me shpejtësi të dritës kjo ecje nuk mjafton”, ka thënë Pacolli.

Ai ka potencuar rolin e rëndësishëm që ka rinia në ndërmarrjen e veprimeve për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit në përgjithësi, andaj u ka bërë thirrje atyre që gjithë potencialin e vet ta vënë për të mirën e vendit dhe dobinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Rinia duhet ta merr fjalën kryesore. Rinia e sotme ka aftësinë që shumë pak mund t’i kuptojmë, e trajtojnë rininë ende si të pazot. Unë them se secili prej jush është i zoti i vetës, duhet ta ktheni besimin që dikush jua ka marrë. Secili nga ju synon një arritje, dihet se çdo arritje e dikujt është vetëm nxitim për arritje të mëdha. Ju nuk duhet të jeni të kënaqur me atë që e keni arritur. Sot duhet të kërkoni më shumë nga nesër. Dituria nuk ka limite”, shtoi Pacolli.

Në ligjëratën e tij para studentëve kreu i AKR-së ka folur edhe për përvojën e tij jetësore në aspektin e kreativitetit.

“Kush ka ide, kush është ai njeri kreativ qe prej kreativitetit të madh krijon ide është njeriu i cili asnjëherë nuk ndalët të ëndërroj në ëndrrat e veta. Unë fillimin e kam bërë duke imituar tipin tim. Gjejeni tipin e juaj dhe filloni të kopjoni atë, do të shihni se do të filloni të bëheni si ai. Ëndrrat janë njerëzore, besoni në bukurinë e ëndrrave të juaja dhe do të jeni të suksesshëm. Në veprime duhet të jenë dy gjëra, kalkulimi dhe ndjenjat. Besoni ne ndjenjat e juaja, në shpirtin e juaj, në dashurinë e juaj. Unë kam vepruar në bazë të ndjenjave, i shtyrë prej ndjenjave unë në fund të ditës kam pasur sukses. Asnjëherë mos u dëfreni me punën që bëni, por merreni shumë seriozisht punën që e bëni”, ka porositur Pacolli.

 

Back to top button