Ministri Pacolli do të vizitojë Shqipërinë

Ministri Pacolli do të vizitojë Shqipërinë

Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli ka theksuar se është krenar dhe mirënjohës më popullin e Kosovës për solidaritetin e treguar ndaj vëllezërve dhe motrave në Shqipëri, pas tërmetit shkatërrues që la shumë të vdekur dhe të plagosur.

Ai përmes një postimi në facebook u shpreh se të mërkuren do të vizitojë zonat e prekura nga tërmeti.

“Ashtu siç na kanë ndihmuar qytetarët e Shqipërisë në vitet 1998-99 kur jemi larguar nga shtëpitë tona për t’i shpëtuar genocidit, ne duhet t’i ndihmojmë ata me të gjithë ndihmën e nevojshme pa ndonjë kufizim dhe limit. Sot qeveria miratoi një ndihmë financiare për të siguruar ndihmë urgjente në zonat e prekura dhe njësitë e Forcave të Sigurisë së Kosovës janë dërguar për të ndihmuar autoritetet shqiptare. Do të vizitoj nesër zonat e prekura nga tërmeti për të treguar solidaritetin tonë me popullin e Shqipërisë dhe për të takuar ushtarët e FSK-së.”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka shtuar se do të jemi të bashkuar.

“Ne do t’i qëndrojmë Shqipërisë afer, do të jemi me popullin shqiptar në këto momente të vështira.  Ne qëndrojmë të bashkuar”, ka shtuar më tutje Pacolli.

Shqipëria në mëngjesin e së martes është tronditur nga disa tërmete të forta të njëpasnjëshme, me pasoja në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Numri i i viktimave nga tërmeti ka shkuar në 23, ndërsa raportohet për qindra të lënduar. Në mesin e viktimave që kanë humbur jetën nga tërmeti në Shqipëri janë edhe dy vëllezër nga Gjilani.

Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e rajonit, të cilat kanë ngushëlluar dhe mbështetur popullin shqiptar. Për tërmetin e sotëm, i cili u ka marrë jetën e dhjetëra njerëzve është shkruar edhe nga mediat prestigjioze botërore, CNN, BBC, The Guardian, etj./21Media