Kërkon të punohet urgjentisht me një program riintegrimi

Kërkon të punohet urgjentisht me një program riintegrimi

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli ka deklaruar se kthimi i 110 shtetasve nga Siria është lajm i madh humanitar, diplomatik, në fushën e sigurisë, por jo vetëm.  Sipas tij, do të punohet urgjentisht me një program riintegrimi.

Ne do të punojmë urgjentisht me një program riintegrimi njëjtë sikur për ata që kanë varësi nga droga: drogë e fortë është propaganda e ekstremizmit. Familjet duhet të mbështeten fuqishëm edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Ata që ishin në front duhet të analizohen dhe të mbahen në mbikqyrje ligjore. Ne nuk kemi luksin as me lejuar qarkullimin e lirë të kriminelëve potencialë, helmimin e rinisë sonë prej tyre, por as hedhjen në kosh të dhjetra jetëve njerëzore, viktima të një propagande globale shumë dinake!”, ka deklaruar Pacolli.

Më tej, ai ka thënë se Kosova duhet të shndërrohet në shembull për adresimin e këtij problemi.

“Kosova duhet të shndërrohet në shembull për adresimin e këtij problemi! Ne duhet më në fund të analizojmë pse ndodhi ajo që ndodhi, gabimet tona si shtet, ato të miqve tanë, të edukimit të familjeve, në raportin e shtetit me fenë! Kurrsesi nuk duhet të na ndodhë më ajo që ndodhi! Kosova nuk duhet ta humbë boshtin perëndimor të përparimit të saj!”, ka shkruar më tej Pacolli në Facebook.

110 shtetas të Kosovës, shumica gra dhe fëmijë, u kthyen nga Siria. Katër u arrestuan me t’u kthyer në Kosovë. Dyshohet se ishin pjesëtarë të ISIS-it. Kthimi i kosovarëve nga Siria u bë në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media