Pacolli: Nuk i prishim punët me SHBA-të

Pacolli ka deklaruar se nuk duhet të prishen raportet për shkak të taksës

Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Behgjet Pacolli ka deklaruar sot se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës nuk do të prishen për shkak të taksës së vendosur ndaj Serbisë. Ai këto komente i bëri me rastin e mbjelljes së fidanëve të qershive japoneze, në parkun para ish-Rilindjes, ku ishte i shoqëruar nga ministrja e Jashtme e Japonisë, Toshiko Abe dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Kjo është një ditë e bukur rreth mbjelljes së qershive japoneze dhe mikes tonë të madhe këtu…Nuk prishet puna jemi këtu për të mbrojtur çdo gjë të keqe në mes marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se Japonia është një prej miqve më aktivë të Kosovës, e cila ka ndihmuar vendin tonë në forcimin e shtetndërtimit.

“Sot patëm nderin që të mbjellim qershitë sakura, një qershi japoneze ka kuptimin  e vetë të mirëqenies është një pemë e cila do të zhvillohet, do të rritet dhe do të qëndroi me shumë shekuj këtu, ashtu edhe miqësia e Kosovës me Japoninë. Japonia e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha mënyrat në fushën diplomatike, gjithmonë me qëllim që të përforcohet shteti i Kosovës, ka ndihmuar Kosovën ekonomikisht dhe vazhdon ta ndihmoj”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa ministrja e Jashtme e Japonisë, Toshiko Abe, ka thënë se mbjella e kësaj peme do të simbolizojë miqësinë në mes dy vendeve. Ajo u shpreh se po i mbjellin rreth 30 trupa të qershisë japoneze si shenjë nderimi për marrëdhëniet Kosovë-Japoni.

“Pemët e qershisë njihen për rritjen e tyre të shpejtë dhe shpresoj që edhe raportet në mes të Kosovës dhe Japonisë të rriten po ashtu në mënyrë të shpejtë. Në emër të Qeverisë japoneze dëshiroj të përfundoj dhe t’ju dëshiroj raporte më të mira dhe gjitha të mirat për Kosovën”, ka thënë Abe.

I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka siguruar shoqërinë japoneze se do të kujdesën shumë  për fidanët e qershisë japoneze, derisa theksoi se  e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë japoneze për ndërtimin e ambasadës së këtij vendi në Kosovë.

“Japonia është një prej shteteve që kanë ndihmuar shumë dhe përmend pak në Kosovë, prandaj sot në shënimin e 10- vjetorit të përcaktimit të marrëdhënieve diplomatike në mes Japonisë dhe Kosovës, dua që në emër të komunës së Prishtinës dhe në emër të Kosovës për krejt ndihmën që na e kanë dhënë duke filluar prej digjitalizimit të televizionit publik, RTK në kohën kur është nevojitur një televizion publik e deri te trajnimet e shërbyesve civilë, të cilët vazhdojnë tërë kohën”, ka thënë Ahmeti.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe, gjatë ditës është takuar edhe me krerët e shtetit, Thaçin e Haradinajn.

Back to top button