Reagon Pacolli

Reagon Pacolli

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas lajmit se Çekia brenda një muaji do ta rishikojnë mundësinë e tërheqjes së njohjes së Pavarësisë së Kosovës.

“Nuk ka asnjë ç’njohje të Kosovës, vetëm rruga përpara për ta bërë Kosovën më të fortë dhe pjesë si e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Pacolli.

Ai u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos bien në grackën e Beogradit, siç tha ai për të përhapur lajme që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.

Pacolli ka thënë se i është  mirënjohës homologut të tij, Ministrit të Jashtëm Tomáš Petříček “për mbështetjen e tij dhe të popullit dhe qeverisë së Republikës Çeke”.

Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Tomáš Petříček ka thënë se qeveria e vendit të tij,  nuk e ka ndryshuar qëndrimin për Kosovë.

“Qeveria çeke, e cila është përgjegjëse për politikën e jashtme, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për Kosovën ose ndonjë prej shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, dhe rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Petříček në Twitter.

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman sot në Beograd deklaroi se brenda një muaji do ta rishikojnë mundësinë e tërheqjes së njohjes së Pavarësisë së Kosovës, në një takim me autoritetet kushtetuese në Pragë. Unë jam i kënaqur që Ministri i Mbrojtjes Lubomir Metnar tha se ishte gabim të pranosh Kosovën. Ai me siguri do të jetë në anën time”, ka thënë Zeman në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, raporton b92.

Ndryshe, Kosova është njohur nga Çekia në vitin 2008 – pak kohë pas shpalljes së pavarësisë – kur kryeministër i këtij vendi ka qenë Mirek Topolanek.

Republika e Çekisë është vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Serbia, tash e sa kohë, thuhet se është angazhuar në një fushatë për të bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën që të zmbrapsen nga një hap i tillë./21Media