Pacolli ka veçuar angazhimet e mëdha që i presin institucionet në përmbushjen e agjendës evropiane

Pacolli ka veçuar angazhimet e mëdha që i presin institucionet në përmbushjen e agjendës evropiane

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në takime të ndara ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O`Connell si dhe ambasadorin e Shqipërisë, Qemajl Minxhozi.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, duke i falënderuar ata për vizitën, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli diskutoi për forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe për prioritetet në politikën e jashtme të Kosovës.

Pacolli ka veçuar angazhimet e mëdha që i presin institucionet në përmbushjen e agjendës evropiane, ndërsa ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme të këtyre shteteve për zhvillimin dhe përparimin e Republikës së Kosovës.

Duke vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, Ministri Pacolli theksoi vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të Kosovës me këto vende.