Pacolli përgëzon Kurtin e Osmanin

Pacolli përgëzon Kurtin e Osmanin

Një ditë pas zgjedhjeve, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se sovrani e tha fjalën e tij.

Pacolli përmes një shkrimi në llogarinë e tij “Facebook”, lavdëroi procesin e djeshëm zgjedhor dhe përgëzoi prirësit.

“Është për tu përgëzuar populli i Kosovës që votoi me qetësi dhe maturi. Urime për udhëheqësit e Opozitës që me koherencë, me etikë, e konfirmuan alternativën e tyre duke siguruar votim popullor të qartë. Përgëzoj zotni Albin Kurti për integritetin e tij politik dhe zonjën Osmani që krijoi energji të re mbi themelet e trashëgimisë rugoviste”, ka shkruar Pacolli.

Sipas tij, opozita erdhi në pushtet për shkak të pakënaqësisë popullore të krijuar prej mungesës së perspektivës, stagnimit ekonomik, izolimit ndërkombëtar.

“Më gëzon fakti për ardhjen e rinisë në krye të institucioneve, atë që e kam dashur më së shumti. Vullneti për ndryshim fitoi. Ne duhet të mbajmë shënim këtë vullnet popullor. Tani duhët mbi të gjitha t’i tregohet miqve tanë perëndimorë se orientimi proatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe ai vetëm do të forcohet”, ka shkruar tutje i pari i AKR-së.

Duke i uruar punë të mbarë qeverisë së re Pacolli u shpreh se miqët perëndimorë tani të mbajnë shënim rezultatin dhe të hedhin hapin e parë të shumëpritur për popullin e Kosovës.

AKR hyri në zgjedhje në koalicion me Nismën dhe Partinë e Drejtësisë, por ky koalicion sipas rezultateve të deritashme nuk ka kaluar pragun. Këto tri parti së bashku në zgjedhjet e 6 tetorit morën vetëm 4.88% të votave.

Rezultati i fundit nga KQZ tregon se Lëvizja Vetëvendosje është e para me një rezultat 25,81%. Pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,07%. Partia Dermokratike e Kosovës renditet e treta me 21,17%. Në vendin e katërt renditet Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Social Demokrate me 11,64%. Pritet të numërohen edhe votat me kusht, me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta./21Media