Flet Pacolli pas aksionit të policisë

Flet Pacolli pas aksionit të policisë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaroi se qytetarët kosovarë të arrestuar gjatë aksionit të sotëm në veri janë pjesë e një rrjeti që ka qenë thellësisht i përfshirë në kontrabandë, ryshfet, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.

“Ky operacion ka qenë i përgatitur që disa muaj dhe është pjesë e përpjekjeve më të mëdha që Kosova po ndërmerr për të forcuar rendin dhe sundimin e ligjit në të gjithë vendin. Ne kemi parë operacione të ngjashme në ditët e fundit në pjesë të tjera të Kosovës”, deklaroi ai.

Siaps tij, Kosova dëshiron të tregojë vullnetin e saj për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe ne i bëjmë thirrje të gjithëve për të mbështetur veprime të tilla.

“Unë i bëj thirrje Serbisë të mos abuzojë politikisht me një operacion të thjeshtë të policisë. Iu bëj thirrje atyre të mbështesin luftën kundër krimit të organizuar dhe të mos kundërshtojnë atë. Ajo që ka rëndësi është mirëqenia e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe qeveria e Kosovës garanton që kjo është me interes të lartë”, vijoi Pacolli.

Sipas, zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, ky aksion i policisë së Kosovës ka për qëllim goditjen e rrjetit të krimit të organizuar në të cilin kanë qenë të përfshirë edhe disa zyrtarë policorë. Limaj ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuar të luftojnë krimin e organizuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ai ka ftuar qytetarët e vendit ta ruajnë qetësinë, ndërsa policëve të plagosur në këtë aksion i ka uruar shërim të shpejtë.

 “Sot, Policia e Kosovës është duke kryer një operacion policor në disa rajone të ndryshme të vendit, përfshirë komunat, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Drenas. Aksioni i Policisë së Kosovës ka për qëllim goditjen e rrjetit të krimit të organizuar në të cilin kanë qenë të përfshirë edhe disa zyrtarë policorë. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta luftojnë krimin e organizuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ftoj qytetarët e vendit që ta ruajnë qetësinë, ndërsa policëve të plagosur në këtë aksion i uroj shërim të shpejtë. Ai i dënoi thirrjet e qeverisë serbe të cilët kanë ftuar ushtrinë të jetë e gatshme për shkak të një operacioni të thjeshtë policor kundër rrjeteve të krimit të organizuar.”, është postimi i tij.

Mëngjesin e sotëm, policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë, po realizon një operacion i cili ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka ftuar serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin./21Media