Pacolli tregon se si Serbia angazhoi vajza të bukura për të lobuar kundër Kosovës

Kosova do të aplikojë përseri në vitin 2019 për Interpol

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme. Në këtë raportim, kreu i diplomacisë kosovare është përgjigjur për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe lajmet se disa shtete kanë tërhequr njohjet e tyre. Me këtë rast ai ka konfirmuar se Kosova do të aplikojë edhe në vitin 2019 për t’u bërë anëtare e Interpolit.

Pacolli duke folur për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, ka thënë se Kosova ka bërë një punë të madhe, por sipas tij lobimi që ka bërë Serbia ka ndikuar te disa shtete. Ai ka marrë edhe një shembull se si shteti serb ka ndikuar te shtetet për mos anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion të sigurisë. “Për mua është bërë punë e madhe po e kam pasur qatë ndjenjë që ma the ti se diçka mundet me çaluar këtu. Për arsye se është një fakt, ne jemi një shtet i vogël, një shtet i sapolindur dhe të pretendosh t’i kesh 2 të 3 e votave, dy herë më shumë se Serbia votat t’i kesh në tavolinë po më duket që duhet të jemi realist edhe aty. Ne kemi marrë 76 vota, Serbia merr 56 vota dhe këtu Serbia po ashtu ka lobuar me krejt potencialin e vet, me krejt miqtë e vet kundër nesh dhe e kemi pa vet çfarë lobimi kanë bërë ata brenda aty në sallë. Ata i kanë pasur nja 10 vajza goxha të bukura të veshura dhe secila i shkon zezakut dhe më fal i thotë: si je a je mirë, e shtrëngon dhe  ia lë zarfin aty përpara”, tha ai.

Për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Pacolli ka thënë se ndjehet fajtor, por megjithatë ka potencuar sërish se dikasteri që ai udhëheq ka bërë gjithë atë që është dashur të bëhet.

Pacolli ka kërkuar që të mos i quajnë takimet që realizon nëpër institucionet ndërkombëtare, takime nëpër korridore e skuta, pasi ato janë mundësitë e shtetit të Kosovës, pasi vendi ynë nuk ka zyrë në OKB. Këtu ai është treguar më i ashpër ndaj mediave, me ç ‘rast është shprehur se nuk iu falet atyre nëse kontributi i tyre shkon në dëm të shtetit.

Sa i përket njohjeve të Kosovës nga vendet e tjera, ministri Pacolli është shprehur i bindur se Kosova gëzon 116 njohje.

Kreu i diplomacisë kosovare po ashtu ka folur edhe për tërheqjet e njohjeve të Kosovës, me ç ‘rast thënë se nuk ka ardhur asnjë shkresë për tërheqje njohjesh, duke mohuar zërat se një gjë e tillë ka ndodhur. Teksa ka shtuar se ujdhesa Solomon, Liberia, Domenika dhe Grenada nuk e kanë tërhequr njohjen, duke thënë se nuk ka se as çfarë të diskutohet lidhur me këto katër shtete. Ministri Pacolli tha se këto shtete janë të varfra ekonomikisht dhe Serbia e ka shfrytëzuar këtë, teksa ka kërkuar që të mos flitet më për tërheqjen e njohjeve, pasi sipas tij, është Serbia që dëshiron që të debatohet për tërheqje të njohjeve.

Ai ka thënë se Serbia po e keqpërdor dialogun, teksa ka thënë se kjo e fundit ka investuar 32 milionë euro për të lobuar kundër Kosovës. “Serbët janë duke e përdorë një gjë shumë taktike, duke e fuqizuar gjithmonë 1244, duke thënë se: ‘kjo është rezoluta e Kombeve të Bashkuara, ne jemi duke dialogu me Kosovën dhe çdo interferim këtu e dëmton dialogun dhe është mirë që ju të tërhiqeni nga kjo’. Serbia ka pasur një buxhet 32 milionësh të lobojë kundër Kosovës. Kosova, 3 milionë, unë flas prej shtatorit të vitit të kaluar”, u shpreh ai.

Gjatë raportimit të tij para deputetëve, Pacolli është pyetur nga deputetët edhe për deklaratat e ish-diplomatit të Kosovës Sabri Kiqmari, ku ky i fundit pati thënë se ka tërheqje të njohjeve. Me këtë rast, ai është shprehur se nuk e njeh personalisht Kiqmarin, teksa sa i përket ish-ministrit të Punëve të Jashtme, tash zëvendëskryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se ndoshta ai di diçka më shumë, porse deri më tash nuk ka pasur diçka të tillë zyrtare në MPJ.

Mungesa e ministrit Pacollit për një kohë të gjatë në këtë komision dhe në interpelancën parlamentare, ka bërë që mbledhja e sotme e këtij komisioni të zgjasë për më shumë se 4 orë.

Ndërkaq, ai nuk ka hezituar të tregojë arsyen e tij që e shtyri të mos i përgjigjet komisionit përkatës. “Do të kisha dashtë shumë që secili të kuptojë shpirtin tim konstruktiv, do të thotë të distancohet prej ofendimeve. Sepse nuk jam njeri që i duroj ofendimet, s’i duroj ofendimet. Nuk jam njeri që ofendoj njerëz, mundem vetëm rastësisht me e prek dikë, nuk ofendoj dhe nuk dua me qenë i ofenduar. Për këtë arsye e keni parë edhe hezitimin tim. Ndoshta kam mundur me ardhur në interpelancën parlamentare, kam qenë pak i sëmurë, kam qenë nervoz, kam mundur aty me u ofenduar dhe e kisha marrë fletoren time dhe kisha dal jashtë”, tha ai.

Back to top button