Padrejtësisht po intervistohet një çlirimtar në Hagë, kriminelët serbë shëtisin lirshëm

Sipas Thaçit, ndaj çlirimtarëve po bëhet padrejtësia më e madhe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar intervistimin e ish- komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtakut nga Prokurori i Specializuar në Hagë.

Presidenti Thaçi përmes një postimi në facebook është shprehur se sot, padrejtësisht po intervistohet një çlirimtar në Hagë, kurse sipas tij, kriminelët serbë vazhdojnë të shëtisin lirshëm në Serbi dhe botë.

“Sot në Hagë po intervistohet bashkëluftëtari ynë Sami Lushtaku, që vjen nga rajoni i Drenicës ku forcat serbe masakruan me qindra civilë të pafajshëm dhe drejtësia ndërkombëtare as që është marrë me krimet e tyre. Në fshatrat Likoshan e Çirez të Drenicës, më 28 shkurt 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 24 civilë të pafajshëm. Në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 56 anëtarë të familjes Jashari. Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme të Drenicës, forcat serbe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu. Më 28 mars 1999, forcat serbe në fshatin Izbicë vranë dhe masakruan mizorisht 147 shqiptarë të pafajshëm. Më 5 prill 1999, në fshatin Rezallë, ushtria dhe policia serbe vranë 98 civilë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur. Po në muajin prill të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan edhe 54 civilë në Poklek të Ri dhe 24 civilë të tjerë në Çikatovë të Vjetër. Forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe masakruan edhe qindra civilë të tjerë të pafajshëm anekënd Drenicës dhe Kosovës, por drejtësia ndërkombëtare as që ka nisur të merr et me këto krime.”, ka shkruar Thaçi në facebook.

I pari vendit ka shtuar se ndaj çlirimtarëve të vendit në emër të drejtësisë ndërkombëtare po bëhet padrejtësia më e madhe.

Ish-komandanti i UÇK-së, gjeneral Sami Lushtaku po intervistohet nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë.

Dje ka përfunduar intervistimi i ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafës, i cili ishte intervistuar dy ditë radhazi. Gjithsej, 11 ish-luftëtarë të UÇK-së, sipas OVL të UÇK-së janë ftuar për intervistë nga Prokuroria e Specializuar./21Media

Back to top button