Paga në sektorin privat më “shtatshkurtra” ndër tjerat

U dashën 6 vjet që ajo të rritet për 34 euro

Sektori privat vazhdon të çalojë sa i përket rritjes së pagave në Kosovë. Në këtë sektor u dashën hiç më pak se 6 vjet që paga mesatare të rritet për 34 euro apo 5 euro e gjysmë çdo vit.

Trend shumë të mirë të rritjes pati paga mesatare në ndërmarrjet publike përderisa më mirë se sektori privat është ai publik. Në raportin e Agjencionit të Statistikavve për nivelin e pagave mesatare thuhet se niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte te ndërmarrjet publike. Në vitin 2012, te ndërmarrjet publike, paga mesatare bruto ishte 518 euro, derisa në vitin 2018 arrinte në 699 Euro. Sektori publik, në vitin 2012, kishte një pagë mesatare bruto 407 euro dhe në vitin 2018 një pagë mesatare 573 Euro. Sektori privat ishte sektori me pagën më të ulët mesatare bruto dhe me një rritje shumë të vogël. Ky sektor, në vitin 2012 kishte një pagë mesatare 367 Euro, derisa në vitin 2018 kishte një pagë mesatare 401 Euro.

Paga mesatare në sektorin publik, privat e në ndërmarrje publike

Nga 407 euro sa ishte në vitin 2012 ajo u rrit në 509 euro.

“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 Euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 Euro, duke u rritur për 166 Euro, ose 40.9%. Derisa, paga neto nga 353 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 509 Euro, një rritje prej 156 Eurosh, ose 44.1%.”, thuhet ne raport.

Tutje, paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2012 ishte 367 Euro, derisa në vitin 2018 ishte 401 Euro, që u rrit për 34 Euro, ose 9.3 për qind. Derisa, paga neto nga 333 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 Euro, me një rritje prej 31 Eurosh, ose 9.3 për qind.

Paga mesatare te ndërmarrjet publike u rrit për 181 euro.

“Paga mesatare bruto te ndërmarrjet publike, në vitin 2012 ishte 518 Euro, derisa në vitin 2018 ishte 699 Euro, që u rrit për 181 Euro, ose 34.9%. Derisa, paga neto nga 465 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 620 Euro, një rritje prej 155 Eurosh, ose 33.3%.”, përmend raporti.

Paga mesatare neto sipas sektorëve te ndërmarrjet publike

Paga mesatare neto, në vitin 2012, arrinte nivelin 465 Euro, derisa në vitin 2018 arrinte në 620 Euro. Sektori publik, në vitin 2012, kishte një pagë mesatare neto 353 Euro dhe në vitin 2018 një pagë mesatare neto prej 509 Eurosh. Sektori privat, në vitin 2012, kishte një pagë mesatare neto 333 Euro, derisa në vitin 2018 kishte një pagë mesatare 364 Euro.

Jo të gjithë sektorët patën rritje të shprehur të pagave nëpër vite. Në sektorin publik, paga bruto, për periudhën 2012-2018, u rrit për 125 euro. Te sektori privat, kishte vetëm një rritje prej 17 Eurosh, brenda periudhës në fjalë, nga 367 në 384 Euro. Te ndërmarrjet publike, pati rritje më të madhe me 149 Euro më shumë se viti 2012. Paralel u rritën edhe pagat neto.

Aktiviteti ekonomik ku paga mesatare pati rritje

Në raportin thuhet se Indikator mjaft i rëndësishëm është edhe paga bruto dhe neto sipas aktiviteteve ekonomike në Kosovë. “Paga mesatare bruto në vitin 2018 sipas aktiviteteve ekonomike më e lartë ishte tek: Furnizimi me energji elektrike, gaz,avull dhe ajër të kondicionuar me 843 euro pasuar nga informimi dhe komunikimi me 717 euro, pastaj xehëtari dhe gurëthyes me 639 euro, derisa paga më e ulët ishte tek Bujqësi, pylltari dhe peshkatari me 256 euro. Paga mesatare neto në vitin 2018 sipas aktiviteteve ekonomike ka të njëjtën renditje si më lartë me: Furnizimi me energji elektrike, gaz,avull dhe ajër të kondicionuar me 743 euro pasuar nga informimi dhe komunikimi me 635 euro, pastaj xehëtari dhe gurëthyes me 569 euro, derisa paga më e ulët ishte tek Bujqësi, pylltari dhe peshkatari me 237 euro”, bën të ditur raporti./kallxo.com

Back to top button