Parregullsi në komunën e Shtërpcës

Parregullsi në komunën e Shtërpcës

Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Shtërpcës ka evidentuar një seri parregullsish në këtë komunë.

Nga të gjeturat e raportit te Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për Komunën e Shtërpcës për vitin 2016, shihet se kjo komunë ka paguar rreth 5 mijë euro më shumë për rrymë sesa që kishte shpenzuar.

Raporti i ZAP-it vë në pah se Komuna e Shtërpcës më datën 13 dhjetor 2016 kishte paguar shpenzime të rrymës në vlerë prej 5 mijë eurove, ndërsa shuma e faturuar ishte 1229 euro. Vetëm me këtë faturë ishin paguar 3771 euro më shumë se shpenzimi i rrymës.

Në të njëjtën ditë, komuna kishte paguar edhe një faturë tjetër të rrymës prej 1680 eurove si shpenzime të energjisë elektrike, edhe pse fatura për shpenzim të rrymës ishte 608 euro. Pra ishin paguar 1072 euro më shumë se vlera e faturës. Zyra e Auditorit gjen se të gjitha këto mbipagesa janë bërë pa ndonjë detyrim ligjor dhe pa ndonjë bazë ligjore dhe si të tilla mund të kenë dëmtuar buxhetin e Komunës së Shtërpcës.

Parregullsi të shumta, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në Komunën e Shtërpcës ka gjetur edhe në prokurim publik, shkruan Kallxo.com

Sipas raportit të ZAP-it, Komuna e Shtërpcës në një rast ka shpërblyer me tender një ofertues të papërgjegjshëm.

Më 31 maj 2016 Komuna e Shtërpcës kishte lidhur kontratë në vlerën prej 32 mijë eurove me një kompani për furnizim me dru për ngrohje të shkollave dhe QKMF-së, edhe pse kompania nuk kishte përmbushur kërkesat e përcaktuara në dosje të tenderit.

Nga të gjeturat e ZAP-it, del se kompania që kishte fituar tenderin nuk kishte sjellë dëshminë e lëshuar nga Agjencioni Pyjor i Kosovës që nuk zhvillohej procedurë për dëmtimin e pyjeve. ZAP-i ka gjetur se ndaj kompanisë që fitoi tenderin po zhvillohej procedurë kundërvajtëse për shkelje ligjore në sektorin e pylltarisë.

Shkelje tjetër, sipas raportit të ZAP-it, Komuna e Shtërpcës kishte bërë edhe në kontratën në vlerë 35 mijë euro për servisimin e veturave.

Edhe pse në dosje të tenderit kërkohej dëshmia se kompania nuk ishte në hetim apo falimentim, kontrata me kompaninë fituese ishte lidhur rreth tre muaj para se ajo ta sillte dëshminë që kërkohej.

ZAP-i te Komuna e Shtërpcës kishte hasur në parregullsi edhe në kontrollin e brendshëm. Nga të gjeturat e raportit del se Komuna e Shtërpcës ka paguar një punëtore që ka shkuar në pushim të lehonisë me 100 % të pagës, duke mos i aplikuar ndalesat që i parasheh ligji.