Banorët e Grushinës kërkojnë llogari nga EVN

Banorët e Grushinës kërkojnë llogari nga EVN

Për të paguar një faturë të energjisë elektrike, duhet të pritet së paku një orë e gjysmë. Kjo është radha e qytetarëve, të cilët dërguan në redaksinë tonë pamje nga pika pagesore e EVN-së, në rrugën Vasil Gllavinov të Shkupit. Vonesa të tilla, po shkaktojnë problem për dhjetëra banorë të fshatit Grushinë, të cilët prisnin radhë për të shlyer borxhin e rrymës. Por ata thonë se për disa muaj rresht ballafaqohen edhe me një problem kolektiv. Fshatarët kanë ardhur sot të kërkojnë përgjigje se përse shkyçen nga sistemi i energjisë elektrike ndonëse paguajnë faturat rregullisht.

“Duhet të vijmë këtu që nga ora 8 e mëngjesit, për të pritur rend dy orë e gjysmë, kur hyn aty arsye nuk ka. I marrin i shfletojnë faturat, kur t’i shohin që të gjitha janë të paguara, thonë është bërë gabim, por do t’ju lëshojmë rrymën. Çdo muaj kështu humbasim kohë dhe nuk e dimë kush e mban këtë përgjegjësi”, tha Ferat Fejzullahu, banor i Grushinës, shkruan tv21.tv

Një banor tjetër tha se në faturë iu bashkëngjisin edhe dënimin prej 30 eurosh për rikyçje në sistem.

“Ja, nëse nuk besoni, shikojeni se me çfarë date është paguar rryma, edhe përsëri më kanë shkyçur. Po na dërgojnë edhe shumën nga 1.700 denarë për tu kyçur sërish në sistem. Këtë dënim na bëjnë çdo muaj. Nuk e di se për çfarë arsye na dërgojnë këtë pagesë kur na ndalin rrymën edhe pse faturat janë të paguara brenda afatit”, u shpreh Zaim Kurtishi, banor i Grushinës.

Nga kompania për shpërndarjen e energjisë elektrike, thonë se sot kanë tejkaluar të gjitha keqkuptimet me këta konsumatorë, të cilët sipas tyre, nuk do të paguajnë më shumë se ajo që kanë harxhuar. Zyra për informim e EVN-Maqedoni, kumton se ajo që u shfaq si problem në korrespodencën me shërbimet për pagesë, është që konsumatorët kanë bërë pagesë të disa faturave, të cilat nuk janë regjistruar në sistem, por kanë pasur edhe borxhe që më vonë i kanë paguar.

Por, banorët e fshatit Grushinë shpresojnë se kjo nuk do t’u përsëritet edhe në muajin e ardhshëm.

“Ose nuk ka mbet rrugë tjetër, vetëm me marrë masa radikale, me djeg centralin e rrymës që e kemi në fshat dhe pastaj le të vijnë EVN-ja tek ne. Më u lodhëm, jemi demoralizuar, i sheh të gjithë këta i kanë lënë punë me ardhur këtu, edhe unë jam në punë, por kam marrë ditë të lirë. Çdo muaj kështu, kjo nuk është e hijshme”, tha Ferat Fejzullahu, banor.

Banorët që gravitojnë në Komunën e Haraçinës, paguajnë faturat në Butel,  pasi që thonë se atje është mbyllur pika pagesore. Përderisa ishte i pranishëm ekipi ynë në vendngjarje, drejtori i EVN-së për rajonin e Butelit, Lirim Sulejmani, i pranoi në takim për të zgjidhur problemin e tyre.