Presidenti slloven uron qytetarët e Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë

Presidenti slloven uron qytetarët e Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor së bashku me presidentin e vendit Hashim Thaçi kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë shpalosur detaje për takimin ndërmjet tyre.

Derisa presidenti slloven ka uruar qytetarët e Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë, duke i cilësuar raportet ndërshtetërore mjaft të mira, Pahor ka përmendur edhe mosmarrëveshjet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe problemet me kufij ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë.

Në këtë drejtim, për të avancuar në rrugën drejt BE-së, presidenti slloven ka kërkuar që Kosova ta ratifikojë Demarkacionin dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Kosova duhet ta ratifikojë demarkacionin, dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel. Në këtë mënyrë zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor do të ishte më i lehtë dhe suksesshëm”, ka thënë Pahor.

Tutje presidenti slloven foli edhe për faktorin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë. Ai kërkoi që të ketë një këmbim më të madh të bizneseve ndërmjet dy vendeve.

Pahor paralajmëroi vizitën e ministrit të Jashtëm të Sllovenisë në Kosovë, gjatë muajit të ardhshëm.

“Sllovenia është investitor i rëndësishëm në Kosovë, por ende përfshirja e këmbimit të bizneseve është e vogël. Mendoj se në muajin e ardhshëm Kosovën do ta vizitojë ministri jashtëm slloven me ekipin e afaristëve”, theksoi Pahor.

Borut Pahor përmendi samitin në Brdo Brijone si një samit që sipas tij do të ndikojë në përmirësimin e raporteve ndërmjet vendeve të Ballkanit, dhe integrimit në BE.