Presidenti slloven porositë vendet e Ballkanit të bashkëpunojnë për një të ardhme më të mirë

Presidenti slloven porositë vendet e Ballkanit të bashkëpunojnë për një të ardhme më të mirë

Kuvendi i Kosovës mbajti seancën solemne për nder të presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor.

Presidenti slloven në fjalën e tij, uroi liderët dhe qytetarë e Kosovës për festën e pavarësisë. Ai tha se në prag të kësaj feste erdhi në Kosovë për t’i thelluar bashkëpunimet ndërmjet dy vendeve.

“Pranoni urimet e mija të sinqerta, vendit të cilin unë e përfaqësoj dhe dëshirat më të mira të vendit tim për të ardhmen tuaj. Kam ardhur në Kosovë si mik i shqiptarëve, serbëve dhe të gjitha kombësive që jetojnë këtu”, tha presidenti.

Pahor shtoi se pavarësisht problemeve Sllovenia është në rrugën e saj që t’i përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët. Ftoi edhe Kosovën të kontribuojë në këtë aspekt, duke ftuar liderët të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, në mënyrë që siç tha ai të jetësohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, shkruan rtv21.tv

“Unë i mbështes përpjekjet e Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, që po i hapin mundësitë për marrëveshje ndërmjet vete. Si mik i juaj po ja jap vetit lirinë që të ju bind të punoni intensivisht në këto negociata bilaterale që t’i jetësoni këto marrëveshje. I nderuar president, i nderuar kryetar, ju jeni të vetëdijshëm për përkrahjen e Sllovenisë për të arritur paqe në Ballkan. Unë e përkrahi zgjidhjen e çështjeve të kufirit të cilat unë edhe ja kam paraqitur Brukselit. Është e pritshme që vendet e Ballkanit të zgjidhin të gjitha problemet, para anëtarësimit në BE”, tha Pahor.

Ai u shpreh se e kupton kompleksitetin me të cilin Kosova po përballet, për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, por tha se nuk duhet hezituar të miratohet kjo marrëveshje.

“Unë e kuptoj kompleksitetin me të cilin Kosova përballet në këtë çështje, por si mik ju inkurajoj të mos hezitoni të miratoni marrëveshjen. E di sa e vështirë është për ju… por në fund vendi juaj do të krijoj marrëdhënie të mira me të gjithë vendet fqinje dhe do të bëhet pjesë e BE-së. Në fund popujt tanë shpërblehen duke pasur një të ardhme të mirë”, theksoi presidenti slloven.

Pahor ftoi vendet e rajonit të bashkëpunojnë për një të ardhme më të mirë.

“Ejani ta ushqejmë miqësinë tonë ta inkurajojmë dhe ta ushqejmë njëri tjetrin. T’i zgjidhim të gjitha problemet. Do të largohem nga ky vend i mrekullueshëm me shpresë që vendin tuaj e pret një e ardhme e mirë. Duhet ta dini që Sllovenia është me ju”, përfundoi Pahor./21Media