“Pakoja e re fiskale-rilindje për të gjithë prodhuesit”

Kelmendi vizitoi institucionet lokale, bizneset dhe Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, vizitoi Komunën e Gjilanit, ku u prit nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë.

Kelmendi u njoftua nga kryetari Haziri për të arriturat në këtë komunë dhe përkushtimin për zhvillim të mëtejshëm ekonomik, me theks të posaçëm në sektorin e bujqësisë.

“Me kryetarin Haziri biseduam për kërkesat e shumta për zhvillimin e bujqësisë, në veçanti për industrinë e duhanit dhe brengosjen që kanë qytetarët e këtij regjioni, përfshirë edhe ata të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në kultivimin e kësaj bime”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi, duke theksuar se në pakon e re fiskale e cila do të aprovohet së shpejti do të futet edhe çështja e heqjes së akcizës për bimën e duhanit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke e falënderuar zëvendëskryeministrin Kelmendi për vizitën, u shpreh i bindur se me njohuritë dhe potencialin që ka për çështjet ekonomike, do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik në Kosovë, e në veçanti në regjionin e Gjilanit.

“Unë sot paraqita para zëvendëskryeministrit disa çështje të hapura që ne kemi me Qeverinë, në mënyrë që përmes ndryshimeve fiskale, të mbështetet puna jonë që ka të bëjë kryesisht me zhvillimin ekonomik, sidomos në prodhimin e bimës së duhanit, bimës së lulediellit dhe disa iniciativa të tjera, të cilat do të ndihmonin shumë jo vetëm Gjilanin, por gjithë Anamoravën që përfshinë edhe Preshevën e Bujanocin”, tha kryetari Haziri.       

Kelmendi theksoi se pakoja e re fiskale do të jetë një rilindje për të gjithë prodhuesit e Kosovës në përgjithësi, dhe Gjilanit në veçanti, sepse këtu ka një veprimtari prodhuese të organizuar dhe të fuqishme e cila do të mbështetet në vazhdimësi.

Kelmendi gjatë qëndrimit në Gjilan, vizitoi edhe Universitetin “Kadri Zeka” dhe mbajti një ligjëratë para studentëve të këtij universiteti.

 Ai vizitoi edhe dy kompani prodhuese, Fabrikën e lëngjeve “RC Cola” – “FLUIDI, si dhe fermën e pulave “Konsoni”, ku vlerësoi lartë suksesin e këtyre bizneseve./21Media

 

Back to top button