Palmer u shpreh se Shtetet e Bashkuara mbështesin heqjen e tarifës

Palmer u shpreh se Shtetet e Bashkuara mbështesin heqjen e tarifës

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë sa më shpejt. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një afat të caktuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara nuk vendosin vija të kuqe në procesin e bisedimeve, por kjo nuk nënkupton se të gjithë mundësitë janë të hapura”, tha Palmer në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës.

“Ajo çfarë ne do të dëshironim të shikonim është një marrëveshje me autorësi lokale, një marrëveshje të qëndrueshme, një marrëveshje të drejtë, një marrëveshje të zbatueshme dhe që mund të pranohet nga publiku i të dyja palëve, që mund të zbatohet drejt dhe plotësisht, dhe një marrëveshje që mund të çelë rrugëtimin drejt të ardhmes evropiane”, tha më tutje Palmer.

Duke folur për çështjen e tarifës ndaj mallrave serbe, e cila është arsye që pala serbe ka ndërprerë bisedimet për normalizimin e raporteve me Kosovës, Palmer tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin heqjen e tarifës nga ana e autoriteteve të Kosovës.

“Ne besojmë se interesat e Kosovës shërbehen më mirë me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Beogradin dhe për të arritur atë marrëveshje, ata duhet të kthehen tek dialogu dhe për të arritur tek dialogu, është e rëndësishme që tarifat të eliminohen si një pengesë për përparim”, tha Palmer.